Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

‘Shtetas tradhtar’, Sulmuesi në Manchester ishte shpëtuar nga lufta në Libi

Britaniku, i cili ka vrarë 22 persona në një sulm në Manchester gjatë koncertit të Ariana Grandes, ishte shpëtuar nga lufta civile në Libi tre vjet para ngjarjes nga marina britanike, ka raportuar Daily Mail.

Salman Abedi, i lindur nga prindër libianë, besohej se ndodhej për pushim në Libi në gusht 2014, kur shpërtheu lufta dhe zyrtarët britanikë u ofruan që t’i evakuojnë shtetasit britanikë. Abedi dhe vëllai i tij më i ri, Hashem, ishin në mesin e 100 qytetarëve që u shpëtuan nga Libia dhe u dërguan në Maltë, prej nga shkuan në Britani, transmeton koha.net.

Sulmi në Manchester, më 22 maj 2017, ishte më vdekjeprurësi prej 5 sulmeve militante në vend vitin e shkuar dhe në total vdiqën 36 persona. Shtatë fëmijë, më i riu në moshë vetëm 8-vjeçare, ishin në mesin e të vrarëve në Manchester. “Është akt i tradhtisë së rëndë nga ky njeri që të kryejë këtë sulm në tokën britanike pasi e shpëtuam,” citoi gazeta një burim të sigurisë. Burime tjera të sigurisë të cituara nga Daily Mail pohojnë se Abedi nuk besohej se ishte radikalizuar gjatë kohës sa qëndroi në Libi.