Botë

Inteligjenca britanike dështoi ta parandalonte sulmin terrorist ku u vranë 22 persona

Agjencia e brendshme e Inteligjencës britanike nuk veproi me shpejtësi të mjaftueshme mbi informacionet kyçe, dhe humbi një mundësi të rëndësishme për të parandaluar sulmin vetëvrasës që la të vdekur 22 persona në një koncert të Ariana Grandes në vitin 2017 në Anglinë veriperëndimore, zbuloi një hetim të enjten.

Gjykatësi në pension John Saunders, i cili udhëhoqi hetimin për sulmin në Manchester Arena, tha se një oficer i MI5 pranoi se ata e konsideronin informacionin për kamikazin Salman Abedi si një shqetësim të mundshëm të sigurisë kombëtare, por kjo gjë nuk u diskutua sa duhet mes kolegësh.

"Kam parë një mundësi të humbur për të ndërmarrë veprime që mund të kishin parandaluar sulmin”, ka thënë ai, raportoi Associated Press.

Drejtori i Përgjithshëm i MI5, Ken McCallum tha se i vjen thellësisht keq që MI5 nuk e parandaloi sulmin.

“Mbledhja e Inteligjencës së fshehtë është e vështirë, por nëse do të kishim arritur të kapnim shansin e vogël që kishim, ata që u prekën mund të mos kishin përjetuar humbje dhe trauma kaq të tmerrshme”, ka thënë McCallum në një deklaratë.

Abedi, 22 vjeç, vendosi një çantë me bombë në hollin e arenës në fund të koncertit të 22 majit 2017, ndërsa mijëra fansa të rinj, përfshirë fëmijë, po largoheshin nga shfaqja e yllit të popit. Abedi vdiq nga shpërthimi.

Vëllai i tij, Hashem Abedi, u dënua në vitin 2020 për ndihmë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.