Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtatë të vdekur, 11 të lënduar si pasojë e ortekut të borës në Indinë verilindore

Një ortek bore përfshiu të martën një grup turistësh në Himalajet e Indisë verilindore, duke i lënë të vdekur të paktën shtatë persona dhe 11 të tjerë të lënduar.

Zëdhënësi i Ushtrisë, nënkoloneli Mahendra Rawat, bëri të ditur se ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin së paku 23 turistë nga shtresa e bora, të cilët më pas u dërguan në trajtim spitalor.

Organizata e Rrugëve Kufitare e Indisë njoftoi se turistët u goditën nga orteku në afërsi të kalimit malor Nathu La, në shtetin Sikkim.

Ky kalim malor ndodhet përgjatë kufirit të Indisë me Kinën dhe është destinacion i frekuentuar nga turistët.

Rajoni ekologjikisht i ndjeshëm i Himalajeve, i cili është prekur rëndë nga ngrohja globale, përballet shpesh me ortekë.