Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shpërthim në një depo municioni në Krime

Një depo municioni në Krime ka shpërthyer vetëm disa ditë pasi një seri shpërthimesh shkatërruan të paktën shtatë avionë luftarakë rusë në një bazë të forcave ajrore aty pranë.

Videoja e publikuar tregon një shpërthim të madh në një strukturë të përkohshme ushtarake në fshatin Mayskoye, pranë qytetit të Dzhankoit në Krimenë veriore.

Udhëheqësi administrativ i Mayskoye i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, tha se dy persona janë plagosur nga shpërthimi, pasi municioni shpërtheu në depo.

Nuk është ende e qartë se çfarë mund ta ketë shkaktuar shpërthimin, shkruan të martën Daily Mail.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se nuk ka viktima “serioze”, pasi zjarri shpërtheu në një zonë magazinimi të përkohshëm të depos së municionit.

Moska tha se zjarri ka shpërthyer në depo rreth orës 6:15 të mëngjesit.

Rreth 2.000 banorë u evakuuan nga zona pasi pamjet dukej se tregonin një seri shpërthimesh, me retë e tymit të zi që ngriheshin në ajër.

Aksyonov tha se ishte nisur për në Mayskoye menjëherë pas shpërthimeve të para dhe tha se po hetonte rrethanat rreth shpërthimeve.

Krimea, e cila është nën kontrollin rus që nga viti 2014, edhe pse pjesa më e madhe e botës e njeh atë si territor ukrainas, ka qenë një pikë kryesore për fushatën ushtarake që Rusia filloi në Ukrainë më 24 shkurt.

Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar zyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet e raportuara në Krime në ditët e fundit.

 

Artikuj të ngjashëm