Botë

Shkon në gjashtë numri i të vdekurve nga tërmeti i dytë në kufirin Turqi-Siri

Termet Turqi - ndertesat e shembura

Ka shkuar në gjashtë numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit të ri që ka goditur të hënën Turqinë dhe një pjesë të Sirisë.

Tërmeti i shkallës 6.4 është ndier në qytetin Antakya, afër kufirit me Sirinë, territor ky ku një tërmet tjetër i shkallës 7.8 goditi mëngjesin e 6 shkurtit.

Nga tërmeti i parë numri i viktimave deri tani ka shkuar në 44 mijë në Turqi dhe Siri, derisa shumë njerëz kanë mbetur pa shtëpi.

Ndërkohë pas tërmetit prej 6.4 shkallësh të hënën, një tërmet tjetër i shkallës 5.8 është ndier sërish në të njëjtin vend.

Raportet nga qyteti i Antakyas flisnin për frikë dhe panik në rrugë, ndërsa ambulancat dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë ishin shembur.