Një rrjet spiunazhi që operonte në Evropë nga Bjellorusia u shkatërrua nga shërbimet e inteligjencës të Republikës Çeke, Hungarisë dhe Rumanisë, njoftoi agjencia çeke e kundërzbulimit.
Agjencia çeke, e njohur edhe si BIS, njoftoi se një ekip agjentësh evropianë zbuluan spiunë në disa vende evropiane që punonin për agjencinë e sigurisë KGB të Bjellorusisë.

BIS tha se një ish-zëvendësdrejtor i shërbimit të inteligjencës moldave SIS, i cili i dorëzoi informacion të klasifikuar KGB-së, ishte në mesin e tyre, raporton AP.
Çekët dëbuan gjithashtu një agjent bjellorus i cili vepronte nën maskën e një diplomati.
Ministria e Jashtme çeke njoftoi se atij iu dhanë 72 orë për t'u larguar nga Republika Çeke.
Edhe
Renditen shërbimet sekrete në Evropë, Britania kryeson
Agjencia çeke tha se Bjellorusia arriti të krijojë rrjetin pasi që diplomatët e saj ishin në gjendje të udhëtojnë lirshëm nëpër vendet evropiane.
“Për t’i luftuar me sukses këto aktivitete armiqësore në Evropë, ne duhet të kufizojmë lëvizjen e diplomatëve të akredituar nga Rusia dhe Bjellorusia brenda zonës Shengen”, tha në një deklaratë kreu i agjencisë çeke , Michal Koudelka.