Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shënohet 75-vjetori i Auschwitzit, Evropa druan nga rritja e antisemitizmit

Foto: Reuters

Edhe 75 vjet pas, Holokausti vazhdon të brejë ndërgjegjen e shumë njerëzve.

Në ditën kur u përkujtua 75-vjetori i çlirimit të kampit të përqendrimit Auschwitz, kryeministri holandez, Mark Rutte, ka kërkuar falje në emër të shtetit të tij, për dështimin që të mbrojë komunitetin hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton Reuters.

Rutte tha se derisa disa zyrtarë holandezë i rezistuan okupimit nazist, të tjerët thjesht u dorëzuan para tij.

“Me të mbijetuarin e fundit që ende jeton, kërkoj falje në emër të Qeverisë për veprimet e qeverisë së atëhershme. Këtë e bëj duke e kuptuar se asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë diçka kaq të tmerrshme sikurse Holokausti”, ka thënë Rutte.

Ndryshe, kjo ishte e para kërkimfalje e ndonjë zyrtari të lartë holandez në këta 75 vjet për ndodhitë e asaj kohe derisa rreth 102 mijë prej 6 milionë hebrenjve sa kishin vdekur gjatë Holokaustit ishin nga Holanda.

E pak më larg Holandës, në Poloni, të mbijetuarit e kampit nazist, janë kthyer sërish për të nderuar ata që kanë vdekur.

Në një ceremoni shumë emocionale, burra e gra të moshuar kanë vendosur kurora lulesh brenda murit të kampit, ku ishin kryer shumica e ekzekutimeve.

Jona Laks, njëra prej të mbijetuarve tashmë 90-vjeçare, tha se ende e ndien erën e trupave të djegur, derisa i afrohej krematoriumit.

“Ende, gjithçka vazhdon të jetë e qartë e nuk mund të besoj se kanë kaluar 75 vjet”, tha ajo.

Përpos saj, në ceremoninë në Poloni, i pranishëm ishte edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ai izraelit Reuven Rivlin, e ngjarja ndodhi në kohën kur vetë Polonia kërkon që të theksojë vuajtjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast kishin vdekur 6 milionë polakë, 3 milionë prej të cilëve hebrenj e shteti ishte shkatërruar në masë, transmeton KTV.

Sipas kritikëve, partia udhëheqëse në Poloni, e Ligjit dhe Drejtësisë nuk është duke bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin dhe preferon të përqendrohet në atë që e konsideron si heroizëm polak gjatë luftës duke minimizuar hebrenjtë.

Ceremoni përkujtimi pati edhe në shumë vende të tjera, në Evropë e më gjerë derisa viteve ka shqetësime për ngjalljen e ndjenjës antisemite në botë.

Më shumë se 1.1 milionë njerëz ishin zhdukur në dhomat e gazit të këtij kampi, kishin vdekur nga uria, të ftohtit ose sëmundjet.

I hapur në Poloninë e okupuar nga nazistët në vitin 1940, fillimisht si burg për të burgosurit politikë polak, Auschwitzi shpejt u bë qendra më e madhe e shfarosjes, ku plani i Hitlerit për vrasjen e të gjithë hebrenjve u zbatua në praktikë.

Artikuj të ngjashëm