Emanuel Makron i ka dalë kundër Joe Bidenit, i cili e denoncoi Vladimir Putinin si kasap që po kryen krime lufte në Ukrainë. “Nuk do të përdorja aso shprehjesh, sepse vazhdoj të flas me presidentin Putin për shkak se ne duam të bëjmë diçka kolektivisht për të ndalur luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë“, ka deklaruar Macron në ditën kur Ukraina ka lansuar kundërsulme ndaj forcave ruse, që në mungesë të suksesit me këmbësori po ashpërsojnë bombardimet ajrore
(AP) - Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka dalë kundër aleatit amerikan një ditë pasi presidenti Joe Biden e quajti Vladimir Putinin kasap që po kryen krime kundër civilëve në Ukrainë.
Macroni, i cili ka folur disa herë me Putinin në javët e fundit në përpjekjet e tij të pasuksesshme të ndërmjetësimit, pritet të flasë edhe sonte ose nesër me liderin rus.
“Nuk do të përdorja aso shprehjesh, sepse vazhdoj të flas me presidentin Putin për shkak se ne duam të bëjmë diçka kolektivisht për të ndalur luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë. Pa e përshkallëzuar dhe pa nxitur luftë”, ka deklaruar Emmanuel Macron, president i Francës.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin aleate të rëndësishme për Evropën. Lideri francez ka thënë gjithashtu se evropianët dhe amerikanët ndajnë shumë vlera demokratike.
Zelenskyy kërkon vetëm 1 për qind të tankeve të NATO-s
Edhe
Macron: 26 shtete të gatshme për dërgimin e trupave në Ukrainë
Ky reagim vjen pasi presidenti Biden, gjatë takimit me refugjatët ukrainas në Poloni, foli sertë kundër Putinit, i cili po akuzohet se po vret ukrainas të pafajshëm në agresionin që Rusia e nisi më 24 shkurt.
“Ka një të drejtë ndërkombëtare humanitare. Ne synojmë që ajo të respektohet. Andaj kjo nuk duhet të jetë ndërhyrje humanitare në duart e Rusisë. Çfarë po mundohemi të bëjmë është të organizohemi me partnerët tanë në këtë operacion për krijimin e një korridori humanitar për Mariupolin, dhe me organizata OJQ-sh, si Kryqi i Kuq dhe shumë të tjera”, ka shtuar Macron.
Ukraina pretendon se ka rikthyer kontrollin e shumë fshatrave në një seri kundërsulmesh, përfshirë në lindje të Kharkivit dhe Mariupolit veriperëndimor, pasi raketat ruse qëlluan të shtunën qytetin e Lvivit.
Presidenti ukrainas, Volodymir Zelenskyy, ka përsëritur thirrjen e tij për më shumë ndihmë ushtarake, duke theksuar se vendi i tij po kërkon vetëm një për qind të tankeve dhe aeroplanëve luftarakë të NATO-s në luftën kundër Rusisë së Putinit.
Presidenti amerikan ka deklaruar një natë më parë se Putini nuk mund të mbetet në pushtet pas agresionit ndaj Ukrainës, por Shtëpia e Bardhë i ka ndërruar fjalët, duke thënë se Bideni ka dashur të thoshte se lideri rus nuk mund të lejohet të sulmojë shtetet fqinje.
Varre të improvizuara në Mariupol
Kaosi është i përhapur gjithkund në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit, thonë banorët vendës.
Ata tregojnë se si të afërmit dhe fqinjët e vdekur po i varrosin në varre të improvizuara.
Trupa të pajetë po mbesin në rrugë për ditë të tëra.
"Askush nuk ndihmoi, banesat po digjeshin, ne kërkuam ndihmë që të shuanim zjarrin, askush nuk e bëri këtë. Vendësit po vdesin dhe po mbesin rrugëve. Nuk ka ujë, nuk ka ushqim, nuk ka asgjë", ka thënë banori Oleksandr.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, Rusia vazhdon të rrethojë një numër qytetesh të mëdha të Ukrainës, përfshirë Mariupolin.
Sipas të dhënave të përditësuara, forcat ruse nuk po tregojnë gatishmëri për t'u përfshirë në operacione të këmbësorisë urbane në shkallë të gjerë, por në vend të kësaj po preferojnë të mbështeten në përdorimin pa dallim të bombardimeve ajrore dhe të artilerisë, në përpjekje për të demoralizuar forcat mbrojtëse.
Sipas vlerësimit, ka të ngjarë që Rusia do të vazhdojë të përdorë fuqinë e saj të madhe të zjarrit në zonat urbane, pasi synon të kufizojë humbjet e saj tashmë të konsiderueshme, me koston e viktimave të mëtejshme civile.
Separatistët e mbështetur nga Rusia kanë kontrolluar një pjesë të rajonit Donbasit në Ukrainën lindore që nga viti 2014 dhe forcat ruse janë duke luftuar për të kapur më shumë kontroll territori, duke përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit.
Beteja për Mikolaivin strategjik
Ndërkaq në Mikolaiv trupat ukrainase janë në gatishmëri të lartë, ndërsa forcat ruse po vazhdojnë rrethimin e qytetit jugor.
Është parë si vend kritik në konflikt, pasi shtrihet ndërmjet Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe portit të Odesës.
Unka, ushtar ukrainas, u zotua se do ta mbrojë Mikolaivin "deri në vdekje", por synonte të ketë jetë të re për "demokracinë" dhe për Ukrainën.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
“Ne sillemi si qenie njerëzore me rusët, por ata e bëjnë krejt të kundërtën dhe po bombardojnë qytetet tona. Shikoni se në çfarë gjendjeje është tani Mariupoli, çfarë i kanë bërë qytetit. Në Mikolaiv gjithnjë ka sulme e bombardime, bomba kasetore, shumë raketa që nganjëherë nuk shpërthejnë”, ka thënë Unka, 37 vjeç.
Në Mikolaiv trupat po vëzhgojnë për ndonjë shenjë avancimi rus nga llogoret e tyre, ndërsa të tjerët ruajnë pikat e kontrollit brenda dhe jashtë qytetit.
Jehona e shpërthimeve u dëgjua në qytet të shtunën, si sinjale të dëgjueshme se trupat armike ishin ende në afërsi.
Ndërsa patrullimet vazhdojnë, ushtria ukrainase ka rrëmbyer një tank rus.
Standardet e dyfishta të Hungarisë
Rreth katër milionë ukrainas janë zhvendosur deri tani në shtetet fqinje. Pjesa më e madhe në Poloni.
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, Hungaria hapi kufijtë e saj për dhjetëra mijëra refugjatë nga fqinji i saj. Por emigrantët nga vendet e tjera nuk janë pritur me të njëjtën mirëseardhje. Pas studimeve në Hungari për tre vjet, Hasib Quarizada kërkoi azil pasi Afganistani u zhyt në kaos në gusht. Por në vend që t’i ofronin strehim, autoritetet hungareze e dëbuan Qarizadën përtej kufirit gjashtë muaj më parë në Serbinë fqinje, duke e dëbuar në një vend që ai as nuk e njihte. “Më thanë ‘mos u mundo të ikësh, mos u mundo të zihesh me ne, mos bëj ndonjë marrëzi”, tha burri që po qëndron në Beograd. I mbetur i vetëm në fushë të gjerë në Serbi, 25-vjeçari nuk e kishte idenë se ku ishte, ku të shkonte apo çfarë të bënte. Policia hungareze nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së AP-së për koment mbi dëbimin e afganit në shtator. Ndërsa Hungaria është e njohur për mënyrën se si i trajton emigrantët që ikin nga luftërat dhe varfëria, rasti i Quarizadës tregon për një praktikë veçanërisht të keqe të dëbimit të njerëzve në një vend të tretë.
Refugjatët në Poloni komentojnë përkrahjen e presidentit Biden
Mesazhi i presidentit Biden për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe denoncimin e presidentit rus, Vladimir Putin, u mirëprit ngrohtësisht nga refugjatët ukrainas që mbërritën në Poloni të dielën. "Unë jam dakord me presidentin Biden, sepse Putini është person i tmerrshëm, ai është vrasës", tha Tatjana Kostiuk, studente nga Kievi. "Ai po i vret ukrainasit, ai po i vret njerëzit e tij, kështu që mendoj se sa më shpejt të largohet, aq më mirë”. Bideni të shtunën në Varshavë dënoi fuqishëm veprimet e Putinit. Pasi e quajti Putinin "kasap" gjatë një vizite në një qendër refugjatësh të shtunën pasdite, Bideni më vonë atë mbrëmje tha: "Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet". Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha pastaj se presidenti nuk kërkoi ndryshim regjimi, porse mendon se Putini duhet të japë llogari për agresionin ndaj shteteve fqinje.
Françesku bën thirrje për ndalimin e luftës
Papa Françesku bëri thirrje të dielën për negociata për t'iu dhënë fund luftimeve në Ukrainë, duke paralajmëruar se njerëzimi duhet të eliminojë luftën ose lufta do ta zhdukë njerëzimin. Françesku i tha publikut në Sheshin e Shën Pjetrit se më shumë se një muaj pasi Ukraina u pushtua nga Rusia, "kjo luftë mizore dhe e pakuptimtë" vazhdon, duke përfaqësuar "një disfatë për të gjithë".
Edhe një herë Papa nuk e përmendi Rusinë me emër si agresore në pushtimin e 24 shkurtit. Ai përfundoi: "Njerëzimi duhet të kuptojë se ne kemi arritur në momentin për të hequr qafe luftën, për ta hequr atë nga historia e njeriut, para se lufta ta heqë njeriun nga historia".
Rusia nuk po tërhiqet në Donbas
Julianne Smith, ambasadorja e SHBA-së në NATO, diskutoi fokusin e supozuar të ndryshimit të Rusisë. Smith tha se ajo nuk mendon se "ne kemi ende prova për këtë" dhe se Kremlini do të kufizohet në rajonin e Donbasit, por se SHBA-ja dhe aleatët do ta kërkojnë atë.
"Por ajo që ne kemi prova është fakti se rusët nuk ia kanë dalë me qëllimet e tyre fillestare. Dhe kjo ishte, siç e dini mirë, të merrnin Kievin brenda vetëm disa ditësh", tha ajo. "Pra, për shkak të kësaj, unë mendoj se Rusia po rivlerëson dhe ata kanë treguar se do të ndryshojnë taktikat e tyre, por le t'i japim pak kohë. Dy ditët e ardhshme Shtetet e Bashkuara, duke punuar ngushtë me aleatët dhe me Qeverinë ukrainase. Do të kërkojë prova për këtë ndryshim”, shtoi Smith.
Smith mbrojti gjithashtu veprimet e reja që NATO-ja dhe SHBA-ja për të vazhduar ndëshkimin e Rusisë. I pyetur nëse NATO-ja do t'i japë presidentit Zelenskyy avionë luftarakë, Smith tha se "kjo është një bisedë në zhvillim", por në fund jo.
"Ne kemi folur me presidentin Zelenskyy shumë herë në javët e fundit. Kemi dëgjuar kërkesat e tyre për ndihmë. Në shumë raste, ne i kemi dorëzuar ato aftësi kundërajrore, antiblindore, ne po vlerësojmë nevojat e tyre për mbrojtjen ajrore", tha ajo. "Por përgjigjja është jo, nëse po pyetni për avionët e epokës sovjetike, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që propozimi i veçantë i paraqitur nga Polonia është i paqëndrueshëm. Por sinqerisht, nëse ndonjë aleat i NATO-s donte të siguronte ato lloj pajisjesh, avionët luftarakë, MiG, ky është një vendim sovran, ata mund ta marrin atë vendim sovran. Por tani për tani, Shtetet e Bashkuara janë shumë të përqendruara në nevojat e tyre të mbrojtjes ajrore. Dhe ne po ofrojmë aftësi të shumta për t'i trajtuar ato kërkesa”.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Në lidhje me potencialin e sulmeve kibernetike për t'u përfshirë në kartën e NATO-s, Smith nuk pranoi të "kalonte nëpër hipoteza", por tha se nuk dyshonte se nëse një aleat "do të dilte përpara" dhe do të thërriste nenin 5, Aleanca "do të ishte gati të përgjigjet dhe të marrë masa”.
Përgatiti: Rexhep Maloku