Botë

Putini po mbështetet me shpatulla për muri

Forcat ukrainase luftuan përpjekjet e vazhdueshme ruse për të pushtuar Mariupolin dhe pretenduan se rimorën periferinë strategjike të Kievit të martën, duke fuqizuar mbrojtjen e fortë, sa që po ngjall frikën se Vladimir Putini i Rusisë do ta përshkallëzojë luftën edhe më shumë.

“Putini po mbështetet me shpatulla për murit”, ka theksuar presidenti amerikan, Joe Biden, i cili viziton Evropën këtë javë për t'u takuar me aleatët. "Dhe sa më shumë të mbështetet me shpatulla për muri, aq më e madhe është ashpërsia e taktikave që ai mund të përdorë”.

Biden përsëriti akuzat se Putini po shqyrton përdorimin e armëve kimike ose biologjike, megjithëse zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk ka parë asnjë provë që sugjeron se një përshkallëzim i tillë është i afërt.

Sulme në Kiev e Mariupol

Paralajmërimet erdhën, ndërsa sulmet vazhduan në dhe rreth Kievit dhe Mariupolit dhe njerëzit shpëtuan nga qyteti port i goditur dhe i rrethuar.

Duart e një të mbijetuare të rraskapitur të Mariupolit po dridheshin gjersa mbërriti me tren në qytetin perëndimor Lviv.

“Nuk ka asnjë lidhje me botën. Nuk mund të kërkonim ndihmë”, tha Julia Krytska, e cila u ndihmua nga vullnetarët për t'ia dalë mbanë me burrin dhe djalin. "Njerëzit nuk kanë as ujë atje".

Shpërthimet e armëve tronditën Kievin dhe zjarri i rëndë i artilerisë mund të dëgjohej nga veriperëndimi, ku Rusia është munduar të rrethojë dhe të pushtojë disa zona periferike të kryeqytetit.

Të martën herët, trupat ukrainase zmbrapsën forcat ruse nga periferia e Kievit, Makariv, pas një beteje të ashpër, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Territori i rifituar u lejoi forcave ukrainase të rimarrin kontrollin e një autostrade kyç dhe të bllokojnë trupat ruse nga rrethimi i Kievit nga veriperëndimi.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse morën pjesërisht periferitë e tjera veriperëndimore, Bucha, Hostomel dhe Irpin, disa prej të cilave janë sulmuar pothuajse që kur Rusia pushtoi gati një muaj më parë.

Një zyrtar perëndimor, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimet ushtarake, tha se rezistenca ukrainase ka ndalur pjesën më të madhe të përparimit të Rusisë, por nuk ia ka dalë t’i detyrojë rusët të tërhiqen.

Krizë furnizimi e mijëra të vdekur

Zyrtarët perëndimorë thonë se forcat ruse po përballen me mungesa serioze ushqimi, karburanti dhe pajisjesh të motit të ftohtë, me disa ushtarë që po vuajnë nga ngricat. Ukrainasit kanë raportuar se ushtarët e uritur po grabitin dyqane dhe shtëpi për ushqim.

Pushtimi ka dëbuar më shumë se 10 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, pothuajse një e katërta e popullsisë së Ukrainës, ka njoftuar OKB-ja.

Mijëra civilë besohet se kanë vdekur. Vlerësimet e viktimave ushtarake ruse ndryshojnë shumë, por edhe shifrat konservatore nga zyrtarët perëndimorë janë në mijëra.

Të hënën, gazeta pro-Kremlin, Komsomolskaya Pravda, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes, raportoi se pothuajse 10.000 ushtarë rusë ishin vrarë. Raporti u hoq shpejt dhe gazeta fajësoi hakerat. Kremlini refuzoi të komentojë. Zyrtari perëndimor tha se shifra është "një vlerësim i arsyeshëm".

Përballë rezistencës së ashpër të papritur që ka mbajtur pjesën më të madhe të forcave tokësore të Moskës me kilometra larg qendrës së Kievit, trupat e Putinit po përqendrojnë gjithnjë e më shumë fuqinë e tyre ajrore dhe artilerinë në qytetet dhe civilët e Ukrainës.

Image
Një makinë e shkatërruar nga granatimet shihet në një rrugë në Kharkiv të martën e 22 marsit 2022

Kushtet ukrainase për kompromis

Bisedimet për t'i dhënë fund luftimeve kanë vazhduar me video-lidhje. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se do të ishte i përgatitur të konsideronte heqjen dorë nga çdo ofertë e Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO – kërkesa kryesore ruse – në këmbim të një armëpushimi, tërheqjes së trupave ruse dhe garancisë për sigurinë e Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se ka parë përparim në bisedime. “Nga kontaktet e mia me aktorë të ndryshëm, elementë të përparimit diplomatik po vihen re në disa çështje kyç” dhe dobitë janë të mjaftueshme për t'u dhënë fund armiqësive tani, tha ai. Ai nuk dha detaje.

Zyrtari perëndimor, megjithatë, tha se nuk kishte shenja se Moska ishte gati për kompromis.

Në përditësimin e fundit nga zyrtarët e Mariupolit thanë më 15 mars se të paktën 2.300 njerëz kishin vdekur në rrethim. Por ka frikë se numri mund të jetë shumë më i lartë. Sulmet ajrore gjatë javës së kaluar shkatërruan një teatër dhe një shkollë arti ku shumë civilë po strehoheshin.

Mijëra njerëz kanë arritur të largohen nga Mariupoli, ku bombardimet kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë dhe ushqim dhe kanë ndërprerë komunikimin me botën e jashtme. Këshilli i qytetit njoftoi të martën se më shumë se 1.100 njerëz që kishin shpëtuar nga rrethimi ishin në një kolonë autobusësh që po shkonin në një qytet në veriperëndim të Mariupolit.

Por Kryqi i Kuq tha se një autokolonë e ndihmave humanitare që përpiqej të arrinte në qytet me furnizime dëshpërimisht të nevojshme, ende nuk ia ka dalë të hyjë në qytet.

I vendosur në Detin Azov, Mariupol është një port vendimtar për Ukrainën dhe shtrihet përgjatë një shtrirjeje territori midis Rusisë dhe Krimesë. Rrethimi e ka shkëputur qytetin nga deti dhe ka lejuar Rusinë të krijojë një korridor tokësor për në Krime.

Por nuk është e qartë se sa pjesë e qytetit zotëron Rusia, me banorët e arratisur që thonë se luftimet vazhdojnë rrugë më rrugë.

Image
Refugjatët ukrainas me fëmijë hipin në një shesh pranë një stacioni hekurudhor në Przemysl, Poloni, të martën, më 22 mars 2022

"Ata na bombarduan për 20 ditë me radhë"

Një zyrtar i lartë i Mbrojtjes i SHBA-së, duke folur në kushte anonimiteti për të dhënë vlerësimin e Pentagonit, tha se anijet ruse në Detin Azov po bombardonin Mariupolin. Zyrtari tha se kishte rreth shtatë anije ruse në atë zonë, duke përfshirë një minahedhës dhe disa anije zbarkimi.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi se trupat që mbronin qytetin, shkatërruan një varkë patrullimi ruse dhe një kompleks të luftës elektronike. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka bërë të ditur se forcat ukrainase “vazhdojnë të zmbrapsin përpjekjet ruse për të pushtuar” Mariupolin.

Ata që dolën nga Mariupoli dëshmuan për një qytet të shkatërruar.

"Ata na bombarduan për 20 ditë me radhë", tha 39-vjeçarja Viktoria Totsen, e cila iku në Poloni. "Gjatë pesë ditëve të fundit, aeroplanët fluturonin mbi ne çdo pesë sekonda dhe hodhën bomba kudo - në ndërtesa banimi, kopshte, shkolla arti, kudo”.

Përtej pasojave të tmerrshme në mesin e ukrainasve të pafajshëm, lufta ka dridhur rendin global të sigurisë pas Luftës së Ftohtë, duke vënë në rrezik furnizimin botëror të kulturave kryesore dhe ka ngritur shqetësimet se mund të shkaktojë ndonjë aksident bërthamor.

Zjarret shpërthyen pranë termocentralit bërthamor të Çernobilit të çmontuar, por ministri i Burimeve Natyrore të Ukrainës tha se flakët ishin shuar dhe se rrezatimi ishte brenda niveleve normale. Çernobili në vitin 1986 ishte skena e katastrofës më të keqe bërthamore në botë.

Si pjesë e një sërë fjalimesh drejtuar legjislaturave të huaja, Zelenskyy u kërkoi ligjvënësve italianë të forcojnë sanksionet kundër Moskës, duke vënë në dukje se shumë rusë të pasur kanë shtëpi në vend. “Mos u bëni vendpushim për vrasës”, tha ai nga Kievi.

Përgatiti: Rexhep Maloku