“As mos mendoni të lëvizni një pëllëmbë të vetme në territorin e NATO-s. Forcat amerikane nuk janë në Evropë për t'u përfshirë në konflikt me forcat ruse, forcat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët e NATO-s”, ka thënë Bideni. “Ndëshkimet e shpejta janë të vetmet gjëra që do ta bëjnë Moskën të ndryshojë drejtimin. Të gjitha demokracitë e botës kanë përgjegjësinë për ta ndihmuar Ukrainën. Lufta ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë”
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi vendosmërisht se homologu rus, Vladimir Putin, "nuk mund të qëndrojë në pushtet", por Shtëpia e Bardhë tha më pas se kjo nuk ishte një thirrje për ndryshim regjimi.
"Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet", tha Bideni në përfundim të një fjalimi të mbajtur në Kështjellën Mbretërore në Varshavë.
“Qëndrimi i presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Kërcënimi i Bidenit
Linja e Bidenit se Putini "nuk mund të qëndrojë në pushtet" nuk ishte në komentet e tij të përgatitura, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarët amerikanë kishin thënë më parë se largimi i Putinit nga pushteti nuk ishte qëllimi i tyre.
"Për ne, nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit. Populli rus duhet të vendosë se kush dëshiron t'i udhëheqë”, tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në fillim të këtij muaji.
Përgjigjja e Kremlinit: "Kjo nuk duhet të vendoset nga zoti Biden", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. "Kjo duhet të jetë vetëm një zgjedhje e popullit të Federatës Ruse”, ka shtuar ai, raporton televizioni CNN.
Bideni i ka dhënë ultimatum homologut Putin që as të mos e mendojë lëvizjen në territorin e NATO-s.
“As mos mendoni të lëvizni një pëllëmbë të vetme në territorin e NATO-s. Forcat amerikane nuk janë në Evropë për t'u përfshirë në konflikt me forcat ruse, forcat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët e NATO-s”, ka thënë Bideni. “Ndëshkimet e shpejta janë të vetmet gjëra që do ta bëjnë Moskën të ndryshojë drejtimin. Të gjitha demokracitë e botës kanë përgjegjësinë për ta ndihmuar Ukrainën. Lufta ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë”.
Sipas presidentit të SHBA-së, pushtimi i Ukrainës nuk ishte veprim i një kombi të madh.
“Njerëzit intelektualë po ikin nga Rusia. Media shtetërore atje është e gjitha propagandë. Lufta po e kthen Rusinë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Evropa duhet t’i japë fund varësisë së saj nga gazi rus”, u shpreh Bideni.
“Kasapi Putin”
Bideni e ka cilësuar Putin kasap, për shkak të krimeve që po kryen Rusia kundër ukrainasve të pafajshëm. Lideri amerikan e ka dhënë këtë deklaratë gjatë vizitës që po i bën Polonisë.
Kur është pyetur nga gazetarët gjatë vizitës që u ka bërë refugjatëve në Poloni se çfarë mendon për liderin rus, Bideni është përgjigjur shkurt: Ai është një kasap.
Bideni ka takuar gjatë ditës ministrat ukrainas të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes në Varshavë. Raportohet se takimi me shefin e Shtëpisë së Bardhë është shenjë e rritjes së besimit të Ukrainës se mund ta fitojnë luftën.
Edhe presidenti Volodymir Zelenskyy, ka thënë se ushtrisë ruse i kanë dështuar planet fillestare për pushtimin e shpejtë të Ukrainës. Gjendja në terren dëshmon se Rusia ka nisur të zmbrapset në disa qytete e fshatra pas kundërsulmeve të ushtrisë dhe vullnetarëve të Ukrainës.
Zelenskyy ka thënë se Rusia po pëson goditje të fuqishme në fushatën kundër Ukrainës.
Për mediat e huaja, raportet i kanë konfirmuar edhe burime brenda inteligjencës së shteteve perëndimore. Rusia, ndërkohë, vazhdon ta mashtrojë popullin rus nëpërmjet televizioneve shtetërore dhe mediave të kontrolluara se në Ukrainë po lufton vetëm në rajonin lindor të Donbasit.
Sulmet ruse kanë vazhduar edhe sot, duke qëlluar shënjestra në qytete të ndryshme të Ukrainës. Është bombarduar qyteti perëndimor i Lvivit, derisa raportohet se kryetari i Kievit ka anuluar vendimin e mëparshëm për orë policore nga e shtuna deri të hënën mbrëma.
Një zyrtar i Mariupolit ka konfirmuar se në sulmin mbi ndërtesën e teatrit të qytetit, së paku 300 civilë kanë humbur jetën nga bombardimi rus i javës së kaluar.
NATO-ja, e bashkuar
Zyrtarët ukrainas thonë se është jetike që Perëndimi ta furnizojë ushtrinë ukrainase me armatim në luftën kundër Ushtrisë ruse.
Gjatë qëndrimit në Poloni, ku është takuar me presidentin dhe kryeministrin e shtetit anëtar të NATO-s në kufi me Ukrainën, Bideni ka thënë se Putini kishte llogaritur se do të përçante Aleancën Veriatlantike. Ai ka thënë se Rusia nuk ia doli t’i bënte pikë e pesë shtetet e NATO-s, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme. Ai ka thënë gjithashtu se historia ka dëshmuar se sa e rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të mos qëndrojnë anash gjatë konfliktit në Evropë.
Banorët e Slavutychit u mblodhën në qendër të qytetit të shtunën, duke mbajtur flamuj ukrainas dhe duke kënduar himnin kombëtar të Ukrainës. Guvernatori i rajonit të Kievit tha të shtunën se forcat ruse kanë hyrë në Slavutych dhe kanë marrë një spital atje. Slavutychi ndodhet në veri të Kievit dhe në perëndim të Chernihivit, jashtë zonës që u krijua rreth termocentralit bërthamor të Çernobilit pas fatkeqësisë së vitit 1986. Është shtëpia e punëtorëve në kantierin e Çernobilit. Guvernatori Oleksandr Pavlyuk tha të shtunën se rusët rrëmbyen edhe kryetarin e qytetit, Jurii Fomichiv, por disa media raportuan më vonë gjatë ditës se kryetari u lirua menjëherë.
Përgatiti: Rexhep Maloku