Më shumë se 40 njerëz kanë vdekur në Kenia pasi një digë u shkatërrua pas shirave të dendur dhe përmbytjeve, thanë zyrtarët, raporton “AFP”.
Rrugët u përmbytën e shumë shtëpi u shkatërruan në fshatin Kamuchiri në perëndim të Kenisë.
“42 të vdekur, është një vlerësim konservativ. Ka ende të tjerë në baltë”, i tha agjencisë së lajmeve AFP guvernatori i qarkut Nakuru, Susan Kihika.
Më shumë se 100 njerëz kanë mbetur të vdekur nga përmbytjet që kanë shkatërruar pjesë të Kenias në muajin e fundit, raporton BBC.
Ekipet e shpëtimit po gërmojnë nëpër baltë në kërkim të të mbijetuarve në fshatin pranë qytetit të vogël të Mai Mahiu, rreth 60 km nga kryeqyteti Nairobi.
Nga 42 trupat e gjetur deri më tani, 17 ishin fëmijë, tha komandanti i policisë Stephen Kirui, cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Qeveria ka vonuar hapjen e shkollave në të gjithë Keninë me më shumë shira që pritet të vijnë.
Më shumë se 130 mijë njerëz janë zhvendosur nga përmbytjet, me shumë prej tyre që janë strehuar në shkolla. Shirat e dendur kanë goditur gjithashtu Tanzaninë dhe Burundin fqinj. Të paktën 155 njerëz vdiqën në Tanzani që nga janari.
Në Burundi, rreth 100 mijë njerëz janë zhvendosur.