Botë

Shefi i Mossadit viziton Katarin për ta ringjallur procesin e paqes në Gazë

David Barnea

David Barnea

Drejtori i Agjencisë izraelite të Inteligjencës, David Barnea, ka vizituar Katarin të enjten për ta ringjallur procesin e paqes në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me agjencinë e lajmeve Reuters.

Vizita është bërë paralelisht me shprehjen e raportuar të gatishmërisë nga ana e grupit militant palestinez, Hamas, për rinisje të bisedimeve për armëpushim në Gazë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Egjiptit në Kajro.

Militantët e Hamasit vazhdojnë të mbajnë peng 50 persona të kapur gjatë sulmit të 7 tetorit të 2023-ës, që shkaktoi njëkohësisht shpërthimin e luftës. 

Autoritetet izraelite kanë pretenduar se rreth 20 prej tyre janë ende të gjallë. Familjarët e pengjeve kanë frikë se ofensiva e re izraelite i rrezikon ata edhe më shumë.

Kur u pyet nga transmetuesi “i24 News” nëse dritarja për marrëveshje të pjesshme të armëpushimit ishte e mbyllur, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur se dëshiron kthimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve, si të gjallë njashtu dhe të vdekur.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, ka bërë të ditur para gazetarëve se Kajro zyrtare po vazhdon përpjekjet për ta avancuar propozimin e mëparshëm që në vetvete ngërthen armëpushimin 60-ditor, lirimin e disa pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare, përpara se të zhvillohen bisedime të mëtejshme për armëpushim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ndërkohë, ministri izraelit i Financave nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, ka njoftuar po ashtu planet për të filluar punën në ndërtimin e një vendbanimi, i cili do të ndajë Bregun Perëndimor dhe do ta izolojë atë nga Jerusalemi Lindor – veprim që, sipas Zyrës së tij, do ta “varrosë” idenë e një shteti palestinez.