Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se nuk po shohin shenja se stërvitjet ruse që po zhvillohen në veriperëndim të vendit, mund të jenë mbulesë për sulm bërthamor.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaroi se nuk kanë të dhëna konkrete për një rrezik të tillë, derisa siç raportoi BBC-ja të enjten, ai ka shtuar se “nuk beson që Putini do t’i përdorë armët bërthamore".
“Ne e kemi bërë shumë të qartë që në fillim se do të ketë përgjigje shumë domethënëse nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh Austin, duke mos treguar konkretisht se cila do të ishte përgjigjja.
Një ditë më parë (të mërkurën), rusët zhvilluan trajnime për të kryer një sulm masiv bërthamor me forca strategjike. Trajnimet u kryen nën vëzhgimin e presidentit Vladimir Putin, derisa paraprakisht Rusia njoftoi SHBA-në për nisjen e trajnimit. Kjo u konfirmua nga Pentagoni.
Edhe presidenti i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, ka deklaruar se Rusinë e presin pasoja të paparashikueshme “nëse përdorë bombën bërthamore mbi Ukrainë”.
Ditëve të fundit, Rusia po e akuzon Ukrainën se po përgatitet të sulmojë me “bombë të pistë”. Kjo u hodh poshtë nga autoritetet ukrainase, SHBA-ja dhe nga NATO-ja.