Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja ishte përgatitur për sulm bërthamor rus në Ukrainë më 2022, thonë zyrtarët

Në fund të vitit 2022, SHBA-ja filloi "të përgatitej në mënyrë rigoroze" që Rusia të godiste Ukrainën me një armë bërthamore, në atë që do të ishte sulmi i parë bërthamor në luftë që kur SHBA-ja hodhi bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki gati tetëdhjetë vjet më parë, kanë thënë për CNN, dy zyrtarë të lartë të administratës.

Administrata Biden ishte veçanërisht e shqetësuar se Rusia mund të përdorte një armë bërthamore taktike ose në fushëbetejë, thanë zyrtarët.

"Kjo është ajo që na paraqiti konflikti, dhe kështu ne besuam dhe mendoj se është e drejta jonë të përgatitemi me rigorozitet dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shmangur që kjo të ndodhë”, ka thënë njëri nga zyrtarët e administratës.

Ajo që e shtyu administratën Biden të arrinte një vlerësim kaq befasues nuk ishte një tregues, por një koleksion zhvillimesh, analizash dhe – më e rëndësishmja – inteligjencë e re shumë e ndjeshme.

Frika e administratës, sipas zyrtarit të dytë, "nuk ishte thjesht hipotetike” - ajo bazohej gjithashtu në disa informacione.

“Duhej të planifikonim në mënyrë që të ishim në pozicionin më të mirë të mundshëm në rast se kjo ngjarje jo më e paimagjinueshme do të ndodhte në të vërtetë”, ka deklaruar zyrtari.

Nga fundi i verës deri në vjeshtën e vitit 2022, Këshilli i Sigurisë Kombëtare thirri një seri takimesh për të vendosur planet e emergjencës “në rast të një treguesi shumë të qartë se ata ishin gati të bënin diçka, të sulmonin me një armë bërthamore, ose nëse thjesht do ta bënin, si do të reagonim ne, si do të përpiqeshim ta parandalonim ose ta pengonim atë”, ka thënë njëri prej zyrtarëve.

Edhe Putin: Shpresoj të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë Botë Putin: Shpresoj të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, këtë vit e ka përmendur mundësinë e një lufte bërthamore, vetëm në rast se NATO-ja dërgon trupa të saj brenda Ukrainës.

Pasi presidenti francez, Emmanuel Macron nuk e përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, Putini ka thënë se kjo do ta inkurajonte përdorimin e armëve bërthamore.

“Ata duhet të kuptojnë se ne kemi gjithashtu armë, armë që mund t'i mposhtin ata në territorin e tyre. Një veprim i tillë mund të inkurajojë përdorimin e armëve bërthamore. A nuk e kuptojnë ata këtë?”, është shprehur Putini gjatë një fjalimi të përvjetshëm në Asamblenë Federale në fund të shkurtit.