Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA: Putini po dezinformohet, këshilltarët frikësohen t’ia thonë të vërtetën

SHBA-ja beson se presidenti rus, Vladimir Putin, po keqinformohet nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa keq është duke performuar ushtria e tij në Ukrainë dhe rreth ndikimit të sanksioneve në ekonominë e Rusisë, ka thënë për CNN-in të mërkurën një zyrtar amerikan.

“Ne besojmë se Putini është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth faktit se si po performon ushtria ruse dhe se si ekonomia ruse është duke u gjymtuar nga sanksionet, pasi këshilltarët e tij janë të frikësuar për t’ia thënë të vërtetën”, ka thënë zyrtari amerikan.

Ky zyrtar ka thënë se vlerësimi bazohet në gjetjet e deklasifikuara të inteligjencës amerikane.

Zyrtari i cili ka dashur të mbetet i paidentifikuar, ka shtuar se SHBA-ja ka informacione që tregojnë se Putini është bërë i vetëdijshëm për dezinformatat dhe se kjo ka çuar në një përçarje midis Putinit dhe zyrtarëve të tij të lartë të mbrojtjes.

“Ne kemi informacione se Putini është ndier i mashtruar nga ushtria ruse. Tani ka një tension të vazhdueshëm midis Putinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, që rrjedh nga mosbesimi i Putinit në udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë zyrtari amerikan.

Zyrtari ka thënë po ashtu se Putini nuk e dinte që ushtria e tij "po përdorte dhe po humbte rekrutët në Ukrainë, duke treguar një ndarje të qartë në rrjedhën e informacionit të saktë për presidentin rus”.