Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja vendos sanksione ndaj Koresë së Veriut

Antony Blinken

Antony Blinken

Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur të mërkurën sanksione ndaj tre kompanive dhe dy individëve për gjenerim të paligjshëm të të ardhurave për Qeverinë e Koresë së Veriut, raportoi CNN-i.

Këto sanksione janë vendosur pas muajsh lëshime raketash të dënuara ndërkombëtarisht nga Pheniani, ku më i fundit ndodhi muajin e kaluar.

“Programet e paligjshme të armëve të shkatërrimit në masë dhe raketave balistike të Koresë së Veriut, kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë në një deklaratë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson. “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të synuar rrjetet e paligjshme globale të regjimit që gjenerojnë të ardhura për këto aktivitete destabilizuese”, ka shtuar ai.

Sipas një njoftimi nga Thesari, agjencia sanksionoi “Chilsong Trading Corporation” dhe “Korea Paekho Trading Corporation”.

"Chilsong është në varësi të Qeverisë së Koresë së Veriut, e cila përdor kompani tregtare për të fituar valutë të huaj, për të mbledhur informacione dhe për të siguruar statusin e mbulimit për operativët e inteligjencës, ndërsa Paekho ka gjeneruar fonde për qeverinë e DPRK-së që nga vitet 1980 duke kryer art dhe projekte ndërtimi në emër të regjimeve në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sanksionet e së mërkurës synuan gjithashtu Hwang Kil Su-në dhe Pak Hwa Song-un, dhe kompaninë e tyre në Republikën Demokratike të Kongos, Congo Aconde SARL, për gjenerimin e të ardhurave për qeverinë e Koresë së Veriut.

Në një deklaratë të veçantë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vuri në dukje se veprimi i së mërkurës përafron më tej sanksionet e SHBA-së me partnerët ndërkombëtarë.

“Bashkimi Evropian ka caktuar më parë Chilsongun, Paekhon, Pak dhe Hwangun për përfshirje në shmangien e sanksioneve dhe përgjegjësi për mbështetjen e programeve të paligjshme bërthamore dhe raketore balistike të DPRK-së,” tha ai.

Artikuj të ngjashëm