Botë

SHBA-ja rrëzon dronin iranian që iu afrua anijes amerikane

Aeroplanmbajtesja, anija

Foto: Associated Press

Ushtarakët amerikanë të martën kanë rrëzuar një dron iranian që iu afrua aeroplanmbajtëses “Abraham Lincoln” në Detin Arabik, ka njoftuar ushtria amerikane.

Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt anijes “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, ka thënë ushtria.

“Në mbrojtje të vetes dhe për të mbrojtur anijen amë dhe personelin në bord, një avion F-35C nga Abraham Lincoln rrëzoi dronin iranian”, ka thënë kapiteni i Marinës Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.

"Asnjë ushtarak amerikan nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje amerikane nuk ka pësuar dëme" , ka shtuar ai.

Ky incident ka ndodhur teksa diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se me anijet luftarake amerikane që po i afrohen Iranit, “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Aeroplanmbajtësja “Abrahm Lincoln” është dërguar në Lindjen e Mesme, pas shtypjes së dhunshme të demonstratave antiqeveritare muajin e kaluar, trazirat më vdekjeprurëse të brendshme në Iran që nga revolucioni i vitit 1979.

Trumpi po kërkon nga Teherani të bëjë lëshime bërthamore dhe ka dërguar një flotë në bregdetin e tij.

Javën e kaluar, ai ka thënë se Irani po zhvillon “bisedime serioze,” me SHBA-në, teksa edhe zyrtari më i lartë i sigurisë i Teheranit, Ali Larijani, tha se po bëhen përgatitje për negociata.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ka thënë po ashtu se në një incident tjetër të martën, disa orë më vonë në ngushticën e Hormuzit, forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit shqetësuan një anije tregtare me flamur dhe ekuipazh amerikan.