Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani dhe SHBA-ja rikthejnë luftimet, ngrihet çmimi i naftës

Irani nis sulme mbi bazat amerikane, çmimi i naftës bie pas “planit” të Trumpit

Foto: Ilustrim

Foto: Associated Press

Irani ka lëshuar disa raketa balistike në një "përpjekje për sulm të befasishëm" ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, ka njoftuar ushtria amerikane, duke i dhënë fund një periudhe qetësie në luftime.

Sulmi ka ndodhur të martën në mbrëmje dhe të gjitha raketat “janë kapur me sukses” ka thënë Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom). 

Irani ka deklaruar më pas se kishte shënjestruar një bazë amerikane në Jordani.

Ndërkohë, ushtria amerikane dhe forcat e Arabisë Saudite kanë goditur terroristë të lidhur me Iranin në Irak, si hakmarrje për sulmet me dronë të drejtuara nga Irani, sipas Centcom.

Shkëmbimi i raportuar i sulmeve i jep fund një pauze të shkurtër në armiqësitë midis SHBA-së dhe Iranit, e cila synonte t'i kthente negociatorët sërish në tryezën e bisedimeve.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) gjithashtu kanë njoftur se kishin goditur tri cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.
SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë goditur "disa zona logjistike dhe vendndodhje armësh terroriste" në Irakun lindor, sipas Centcom.

Ushtria amerikane ka deklaruar se kjo ishte "një përgjigje e fuqishme ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë ajrorë të drejtuara nga IRGC-ja në 72 orët e fundit".

Centcom ka thënë se ushtria e Iranit “dhe përfaqësuesit e saj terroristë duhet t'i ndalojnë këto sulme për të shmangur një përgjigje të mëtejshme ushtarake amerikane”.

Të martën Arabia Saudite ka njoftuar se ushtria e saj kishte kapur dhe shkatërruar dronë që shënjestronin objekte të naftës në rajonin lindor të vendit.

Pauza në luftime ka pasuar 13 netë radhazi bombardimesh nga SHBA-ja e cila ka deklaruar se kishte shkatërruar tunele dhe ura në Iranin jugor.  

Çmimet e naftës u rritën herët të mërkurën për shkak të shqetësimeve se përshkallëzimi i konfliktit mund të pengonte më tej dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

Sulmet e fundit përkuan me vizitën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington, ku ai u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe mori pjesë në funeralin e senatorit amerikan Lindsey Graham, një kritik i ashpër i Iranit.

Irani hedh poshtë propozimin e Omanit për administrim të Ngushticës së Hormuzit

1 muaj më parë / 29 kor 2026 09:15
Ngushtica e Hormuzit

Teherani zyrtar ka hedhur poshtë propozimin e Omanit për një administrim të përbashkët rajonal të Ngushticës së Hormuzit, ka thënë të mërkurën për Reuters një zyrtar i lartë iranian, duke shuar shpresat për zgjidhje të ngërçit që ka bllokuar tregtinë në Gjirin Persik prej muajsh.

Omani kishte propozuar një marrëveshje të re rajonale me synimin për të zgjidhur konfliktin mbi këtë ngushticë strategjike, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, përpara se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të sulmonin Iranin në shkurt.

Megjithatë, Teherani e ka refuzuar propozimin e Omanit për administrim të përbashkët rajonal të ngushticës, duke deklaruar se ai nuk kishte asnjë mundësi suksesi.

“Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite po përpiqen ta ushtrojnë presion ndaj Omanit për të çuar përpara planet e tyre jorealiste lidhur me këtë ngushticë strategjike”, ka thënë zyrtari për Reuters. 

Irani këmbëngul se e gjithë rruga hyrëse përmes ngushticës dhe një pjesë e rrugës dalëse duhet të jenë nën kontrollin iranian, ka shtuar ai.

Sipas zyrtarit, një marrëveshje për kontroll të përbashkët 50 me 50 me Omanin nuk do t'u shërbente interesave të Iranit, megjithëse Teherani e konsideron Omanin një fqinj të vlefshëm.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka njoftuar të mërkurën se forcat e saj kanë goditur tri cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit dhe i kanë detyruar ato të ndalonin pasi, sipas saj, kishin shpërfillur paralajmërimet duke ndjekur një “rrugë të pasigurt dhe të paligjshme”.

Marina e IRGC-së ka thënë në një deklaratë se vazhdon të mbajë kontroll të plotë mbi këtë rrugë ujore strategjike dhe ka paralajmëruar se “ndërhyrja e paligjshme ushtarake e SHBA-së” dhe udhëzimet që u jepen anijeve në rajon nuk do të mbeten pa përgjigje.

Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 3 dollarë për fuçi të mërkurën, ndërsa sulmet u intensifikuan sërish.

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite ndërmorën sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak të mërkurën, duke deklaruar se ato ishin përgjegjëse për sulmet me dronë ndaj objekteve saudite të naftës. Kjo bëri që Irani të paralajmëronte se fajësimi i tij për këto sulme ishte një “llogaritje e gabuar e madhe”. 

Sulmet amerikano-saudite në lindje të Irakut ndodhën vetëm disa orë pasi ushtria amerikane njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin penguar një sulm të befasishëm iranian ndaj trupave amerikane në rajon. IRGC-ja ka thënë të mërkurën se kishte lëshuar disa raketa balistike ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Jordani.