Botë

SHBA-ja rishikon 55 milionë viza

SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë të dhënat e mbi 55 milionë njerëzve që kanë viza amerikanë për të vlerësuar nëse kanë shkelur kushtet për hyrje ose qëndrim.

Personat me viza amerikane do të jenë nën “verifikim të vazhdueshëm”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për AP.

Vizat do të anulohen nëse gjenden shenja të “aktivitetit kriminal, kërcënim të sigurisë publike, angazhim në ndonjë formë aktiviteti terrorist, apo mbështetje për një organizatë terroriste”.

Si pjesë e kësaj, ata do të jenë subjekt edhe të verifikimit të rrjeteve sociale, ku zyrtarët do të shikojnë për shenja “armiqësie ndaj shtetasve, kulturës, qeverisë, institucioneve, apo parimeve të SHBA-së”.

Që kur Donald Trumpi mori mandatin në janar, dhjetëra studentë të huaj janë arrestuar në kampuse universitare amerikane për pjesëmarrje në protesta kundër luftës në Rripin e Gazës. Trumpi ka ndaluar po ashtu të huajt nga 12 shtete dhe ka vendosur kufizime të pjesshme për shtatë të tjera.

Në maj, administrata Trump lejoi revokimin e përkohshëm të statusit ligjor të mbi 500,000 emigrantëve që jetojnë në SHBA.