Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një “start i ri” për traktatin e armëve bërthamore SHBA-Rusi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në një deklaratë për media se SHBA-ja do ta shfrytëzojë zgjatjen pesëvjeçare të traktatit “Starti i ri” për të ndjekur shtegun e kufizimit të të gjitha armëve bërthamore të Rusisë. Kjo pasi që administrata e ish-presidentit, Donald Trump, ishte tërhequr nga dy marrëveshjet e tilla, si pjesë e largimit më të gjerë nga ujditë ndërkombëtare

Washington-Moskë, 3 shkurt (AP) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bashkuan të mërkurën Rusisë në zgjatjen e traktatit të fundit ekzistues midis dy vendeve që e kufizon numrin e rezervave të armëve bërthamore, vetëm dy ditë para skadimit të afatit të marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në një deklaratë për media se SHBA-ja do ta shfrytëzojë zgjatjen pesëvjeçare të traktatit “Starti i ri” për të ndjekur shtegun e kufizimit të të gjitha armëve bërthamore të Rusisë. Kjo pasi që administrata e ish-presidentit, Donald Trump, ishte tërhequr nga dy marrëveshjet e tilla, si pjesë e largimit më të gjerë nga ujditë ndërkombëtare.

Dy vendet i kanë bërë të ditura javën e kaluar planet për zgjatjen e afatit të marrëveshjes, ani pse administrata Biden ka ashpërsuar kritikat ndaj Rusisë për burgosjen e liderit opozitar, Alexei Navalny, përfshirjen e vendit në operacionin masiv të hakimit të agjencive amerikane dhe për çështje të tjera.

“Sidomos gjatë kohëve të tensionuara, kufizimet e verifikueshme të armëve bërthamore ruse të rrezes së veprimit ndërkontinental janë skajshmërisht të rëndësishme. Zgjatja e Traktatit ‘Starti i Ri’ i bën Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët amerikanë, si dhe botën më të sigurta”, ka thënë Blinken. “Një garë e pakufizuar bërthamore do të na rrezikonte të gjithëve”.

Traktati, i nënshkruar më 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama dhe ai rus, Dmitry Medvedev, e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka përshëndetur menjëherë zgjatjen e ujdisë, ka thënë zëdhënësi, Stephane Dujarric.

Edhe Skadon marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi, shtohet frika për garë armatimesh Botë Skadon marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi, shtohet frika për garë armatimesh

“Është ky një hap i rigjallërimit... të regjimit të kontrollimit të armëve bërthamore”, ka thënë ai.

Administrata e mëparshme amerikane kishte bërë një përpjekje të minutës së fundit për zgjatjen e traktatit, por Rusia i kishte hedhur poshtë kushtet e saj. Afati i traktatit do të skadonte më 5 shkurt. Të dyja dhomat e Parlamentit rus e votuan unanimisht zgjatjen gjatë muajit të kaluar, ndërsa presidenti Vladimir Putin e nënshkroi ligjin.

Kjo gjë ka ndodhur pasi që presidenti Joe Biden dhe Putini kanë biseduar nëpërmjet telefonit dhe janë pajtuar për zgjatjen, në kuadër të diplomacisë së shpejtë të administratës së re amerikane për ta mbajtur në jetë traktatin. Në SHBA, zgjatja e traktatit nuk e kërkon miratimin zyrtar të Kongresit.