Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja do të fillojë evakuimin e afganëve që ndihmuan ushtrinë amerikane

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka njoftuar se është e gatshme të fillojë fluturimet e evakuimit të përkthyesve dhe ndihmëse të tjerë afganë që asistuan ushtarët e SHBA-së në luftën gati 20-vjeçare.

Operacioni për largimin e aleatëve nga Afganistani në javën e fundit të korrikut do të jetë i mundur së pari për ata që kanë aplikuar përmes vizave të veçanta si imigrantë në SHBA, tashmë në proces.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të flasë për detaje, të tregojë sa afganë pritet të evakuohen apo se ku do të dërgohen ata. Kjo për shkak të sigurisë së tyre, raporton AP.

“Arsyeja pse po ndërmarrim këta hapa është sepse këta janë individë të guximshëm. Duam të sigurohemi që ta njohim dhe vlerësojmë rolin që ata kanë luajtur për këto vjet”, është thënë nga Shtëpia e Bardhë.

Bideni është përballur me presion nga ligjvënësit që të dalë me një plan për evakuimin e ndihmësve ushtarakë afganë para tërheqjes së trupave amerikane nga atje.

Administrata e Bidenit po ashtu po punon që të identifikojë një shtet të tretë apo një territor në Shtete e Bashkuara që mund të mbajë afganët derisa të procedohen aplikimet e tyre për vizë.