Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nën kritika për kaosin, Perëndimi përshpejton eksodin nga Afganistani

“Do t’ju sjellim në shtëpi”, u ka premtuar të premten presidenti Joe Biden amerikanëve që ende ndodhen të ngujuar përbrenda Afganistanit të rënë në duart e talebanëve. Komentet e Bidenit nga Shtëpia e Bardhë janë adresuar teksa administrata po përpiqet ta përshpejtojë largimin masiv të amerikanëve dhe të huajve të tjerë, si dhe të afganëve të rrezikuar nëpërmjet fluturimeve nga aeroporti

Fuqitë perëndimore kanë nxituar në përshpejtimin e evakuimeve nga Afganistani të premten, pas raporteve për reprezalje nga talebanët kundër njerëzve që kanë punuar për forcat amerikane dhe për qeverinë e mëhershme të mbështetur nga Perëndimi.

Më shumë se 18.000 persona janë evakuuar qëkur militantët e morën kontrollin mbi kryeqytetin Kabul, ka bërë të ditur një zyrtar i Aleancës së NATO-s, porse qeveritë perëndimore po përballen me kritika për mosparashikimin e një eksodi kaq kaotik apo për mosofrimin e ndihmës së mjaftueshme.

Me mijëra afganë të dëshpëruar të pajisur me dokumente identifikimi, duke bartur fëmijë dhe gjëra të pakta personale vazhdojnë të mbushin aeroportin e kryeqytetit ku militantë të armatosur talebanë i nxitën ata që nuk posedojnë dokumente që të kthehen në shtëpi.

Në aeroport dhe rreth tij të paktën 12 persona janë vrarë që nga e diela, kanë bërë të ditur zyrtarët e NATO-s dhe talebanët.

“Do t’ju sjellim në shtëpi”, u ka premtuar të premten presidenti Joe Biden amerikanëve që ende ndodhen të ngujuar përbrenda Afganistanit të rënë në duart e talebanëve. Komentet e Bidenit nga Shtëpia e Bardhë janë adresuar teksa administrata po përpiqet ta përshpejtojë largimin masiv të amerikanëve dhe të huajve të tjerë, si dhe të afganëve të rrezikuar nëpërmjet fluturimeve nga aeroporti. Bideni po përballet me kritika për skenat kaotike e jo rrallëherë të dhunshme përreth aeroportit, ndërsa këto pamje ai të premten i cilësoi si shpirtcopëtuese. Fluturimet e aeroplanëve ushtarakë amerikanë të angazhuar për evakuim janë ndalur të premten për disa orë, shkaku i pengesave të vendosura përreth aeroportit. Mirëpo, vazhdimi i tyre është urdhëruar gjatë orëve të pasdites, sipas kohës lokale në Washington.

Edhe Ish-gjeneralët amerikanë fajësojnë administratën Biden për “largimin kaotik” nga Afganistani Botë Ish-gjeneralët amerikanë fajësojnë administratën Biden për “largimin kaotik” nga Afganistani

Kaosi mbretërues gjatë ditës ishte i një përmase të atillë saqë asnjë vend nuk kishte të dhëna se në cilët aeroplanë ndodhen të vendosur shtetasit e tyre, ka thënë një ministër holandez.

“Që prej sot ata që mund të jenë në rrezik nuk e kanë më një shteg të qartë të daljes”, ka thënë komisionarja e lartë e OKB-së për refugjatë, Shabia Montoo, duke i nxitur vendet fqinje që t’i mbajnë kufijtë hapur.

Në anën tjetër, raportimet për ekzekutimet e shënjestruara talebane kanë thelluar frikën e qytetarëve nga kthimi i Afganistanit në qeverisjen e dikurshme strikte islamike, me gjithë thirrjen e grupit militant adresuar imamëve për unitet gjatë lutjeve të së premtes.

Image

Grupi për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka zbardhur dëshmi të zymta të premten që bien ndesh me pretendimin e talebanëve se kanë ndryshuar. Në raportin e përpiluar të grupit janë shpalosur të dhënat e dëshmitarëve në krahinën Gazni, të cilët kanë thënë se militantët i kanë ekzekutuar 9 burra të një fshati midis 4 dhe 6 korrikut. Specifikohet se gjashtë nga këta burra ishin qëlluar me armë zjarri ndërsa tre ishin torturuar deri në vdekje. Ndërsa grupi “Reporterët pa kufij” ka shprehur alarmin rreth vrasjes së një familjari të gazetarit afgan të agjencisë gjermane “Deutsche Welle”, duke e cilësuar këtë rast si “konfirmim të frikës më të keqe”. Një civil gjerman është qëlluar me armë zjarri rrugës për në aeroport, para se të evakuohej, ka bërë të ditur një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Disa afganë është raportuar të jenë rrahur dhe se shtëpitë e tyre janë bastisur nga talebanët, ndërsa të tjerët kanë bërë të ditur se kanë marrë garanci për siguri.

Karshi një sfondi të këtillë vendet janë nxitur që të vihen në veprim më të shpejtë. Gjermania ka njoftuar se do të dërgojë helikopterë për ndihmë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbajtur të premten një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, për ta diskutuar çështjen e Afganistanit, rreth së cilës dy liderët kanë qëndrime të kundërta. Merkeli e kishte përshkruar kthimin e talebanëve në pushtet si gjë të hidhur, përderisa Rusia shpërfaqi qëndrime më të vakëta.

Ritmi i shpejtë i rënies së Afganistanit në duart e talebanëve ka nxitur kritika të ashpra në adresë të presidentit Biden, pas vendimit të tij për tërheqjen përfundimtare të trupave nga vendi deri më 31 gusht.

Edhe SHBA-ja ndaloi pesë raketa që kishin destinacion aeroportin e Kabulit të hënën Botë SHBA-ja ndaloi pesë raketa që kishin destinacion aeroportin e Kabulit të hënën

Talebanët kishin qeverisur me grusht të çeliktë nga viti 1996 deri më 2001, para se të rrëzohen nga pushteti me anë të okupimit amerikan të nxitur nga strehimi i militantëve të “Al-Qaedas” që qëndruan prapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Megjithëkëtë, menjëherë pas rimarrjes së Afganistanit ata janë zotuar për qeverisje më të moderuar se më përpara. Kanë thënë se duan paqe, se nuk do t’u hakmerren armiqve dhe do t’i respektojnë të drejtat e grave nën kornizën e ligjit islamik.