Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Biden në presion, i bie përkrahja

Kur gjenerali Mark Milley e informoi presidentin Joe Biden se në orën nëntë të mbrëmjes së të enjtes terroristët kryen sulm vetëvrasës në hyrjet e aeroportit të Kabulit, presidenti ishte i nervozuar, por jo edhe i befasuar.

Ai sapo kishte zbritur nga kati i tretë në Dhomën e Situatave, ku po e prisnin zyrtarët kombëtarë të sigurisë me raportet e para të shpërthimit. Ishte skenar i tmerrshëm të cilit Bideni për ditë të tëra i ishte frikësuar, por inteligjenca e kishte paralajmëruar se kjo do të ndodhte.

Mirëpo paqartësia e situatës në vendin e ngjarjes, urgjenca për evakuim dhe dështimi për të marrë kontrollin e sigurisë përreth aeroportit, kishte lënë të ekspozuar rëndë ushtrinë amerikane dhe i la Bidenit pak mundësi për t’i mbrojtur amerikanët.

Teksa orët shkonin, situata bëhej më e rëndë. Raportet për amerikanë të vrarë u konfirmuan. Numri i të vdekurve nga 4 shkoi përfundimisht në 13, shifër e rëndë për një president që ende nuk kishte përjetuar vdekjen e amerikanëve në luftë.

Ushtarët që u vranë, po bënin kontrollin e atyre që hynin në aeroport – zyrtarët kanë thënë se krejt ushtarët ishin aq afër turmës sa mund t’u dëgjohej frymëmarrja e atyre që kontrollonin.

Edhe Dhjetëra të vrarë nga sulmet e Pakistanit në Afganistan Botë 3 j. më parë Dhjetëra të vrarë nga sulmet e Pakistanit në Afganistan

Ekipi i Bidenit kishte pak kohë për të kapërdirë emocionalisht sulmet. Ishte i përqendruar në procesin e evakuimit në Kabul pasi kishte hyrë në fazën e rrezikshme. Objektivi i ri i amerikanëve tani ishin terroristët.

Të premten mbrëma, ushtria amerikane njoftoi për sulmin e suksesshëm me dron, në të cilin mbetën të vdekur dy anëtarë të ISIS-it që dyshohet se organizuan sulmin vetëvrasës në hyrjen e aeroportit të Kabulit.

Zyrtarët e kanë përshkruar Bidenin si të qetë pas sulmeve.

“Ishte ditë e vështirë”, ka thënë Bideni kur nisi konferencën për media. Me ndjenja të përziera, ka kërcënuar se do të ndjekë të gjithë sulmuesit ndërkaq ka insistuar në vendimin për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.

“Zonja dhe zotërinj, ishte koha për fundin e luftës 20-vjeçare”, ka thënë Bideni para se të largohej nga podiumi.

E enjtja ishte dita më vdekjeprurëse e ushtarëve amerikan në dekadën e fundit. Bisedat me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, këshilltarët e sigurisë kombëtare dhe njerëz tjerë të afërt me situatën, kanë thënë se administrata është konsumuar nga ngjarjet nga Afganistani dhe qëndrimi i palëkundur i Bidenit që të tërhiqte trupat dhe të shmangte kaosin e luftës.

Edhe Tetë të vdekur pas rrëzimit të një avioni ushtarak amerikan Botë 1 muaj më parë Tetë të vdekur pas rrëzimit të një avioni ushtarak amerikan

Mirëpo në javën e fundit përkrahja amerikane për Bidenin është lëkundur fort. Ka frikë në mesin e demokratëve se gabimet e bëra në Afganistan do ta pengojnë planin e partisë demokrate në çështjet e brendshme. Teksa demokratët kanë tentuar të kontrollojnë dëmet, republikanët janë vërsulur pikërisht në hapat e gabuar të Bidenit në Afganistan.

Që nga momenti kur Kabuli ra në duart e talebanëve më 15 gusht, agjencitë e inteligjencës vazhdimisht kanë përmendur rrezikun e madh nga sulmet terroriste që mund të kenë pasoja të mëdha për afganët që duan të ikin nga shteti i tyre.