Vrasja e tre trupave amerikane dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve të dielën nga militantët e mbështetur nga Irani ka vënë presion politik ndaj presidentit amerikan Joe Biden për t’i dhënë një goditje direkte Iranit, veprim ky që Bideni ka hezituar ta bëjë nga frika e ndezjes së një lufte më të gjerë.
Sipas ekspertëve, reagimi i Bidenit mund të jetë shënjestrimi i forcave iraniane jashtë e edhe brenda Iranit apo të zgjedhë një sulm hakmarrës kundër militantëve përgjegjës të mbështetur nga Irani.
Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë sulmuar më shumë se 150 herë nga forcat e mbështetura nga Irani në Irak, Siri, Jordani dhe në brigjet e Jemenit që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas më 7 tetor.
Bideni ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, pa dhënë më shumë detaje.
Republikanët akuzuan Bidenin se i la forcat amerikane të jenë viktima të sulmit me një dron të vetëm në drejtim të kazermave të bazës. Sipas tyre, Bideni duhet ta godasë Iranin.
"Përgjigja e vetme ndaj këtyre sulmeve duhet të jetë hakmarrja shkatërruese ushtarake kundër forcave terroriste të Iranit, si në Iran ashtu edhe në Lindjen e Mesme”, ka thënë senatori republikan amerikan Tom Cotton.