Botë

SHBA-ja diskuton opsionet për marrjen e Grenlandës, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë

Donald Trump

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po diskutojnë “një gamë opsionesh” për marrjen e Grenlandës, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Në një deklaratë për BBC-në, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se marrja e Grenlandës është “prioritet i sigurisë kombëtare” për SHBA-në. Kjo vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar sërish gjatë fundjavës se SHBA-ja “ka nevojë” për Grenlandën për arsye sigurie.

Grenlanda është rajon gjysmë-autonom i Danimarkës, e cila është po ashtu anëtare e NATO-s. Aleatët evropianë u rreshtuan të martën në mbështetje të Danimarkës, pas insistimit të përsëritur të SHBA-së se duhet të ketë kontroll mbi Grenlandën. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se çdo sulm nga SHBA-ja do të nënkuptonte fundin e NATO-s.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se “presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për ta ndjekur këtë objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të Përgjithshëm”.

NATO-ja është aleancë ushtarake transatlantike, ku vendet anëtare janë të obliguara t’i dalin në ndihmë njëra-tjetrës në rast të një sulmi të jashtëm.

Çështja e Grenlandës është rikthyer në vëmendje pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në Venezuelë, gjatë së cilës forca elitare amerikane e kapi presidentin Nicolas Maduro dhe e dërgoi në New York, për t’u përballur me akuza për drogë dhe armë.

Një ditë pas këtij operacioni, Katie Miller, bashkëshortja e njërit prej këshilltarëve të lartë të Trumpit, publikoi në rrjete sociale një hartë të Grenlandës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “SOON” (Së shpejti).

Të hënën, bashkëshorti i saj, Stephen Miller, deklaroi se është “qëndrim zyrtar i qeverisë së SHBA-së që Grenlanda duhet të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara”. Në një intervistë për CNN, ai shtoi se SHBA-ja është “fuqia kryesore e NATO-s” dhe se, për të siguruar rajonin e Arktikut dhe për të mbrojtur interesat e NATO-s, “është e qartë se Grenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së”.

I pyetur vazhdimisht nëse SHBA-ja do ta përjashtonte përdorimin e forcës për aneksimin e Grenlandës, Miller u përgjigj: “Askush nuk do të luftojë me SHBA-në për të ardhmen e Grenlandës”.