Presidenti amerikan, Donald Trump, është rrugës për në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, pasi avioni i tij u kthye në SHBA për shkak të një "problemi të vogël elektrik", sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Me kërcënimet e tij për të blerë Grenlandën që po krijojnë një përçarje midis SHBA-së dhe aleatëve evropianë, Trumpi ka thënë se ka "shumë takime" të planifikuara në Davos për të diskutuar lidhur me territorin, dhe ka sugjeruar se mund të përdorë mjete përtej tarifave për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të martën vonë, Trumpi është pyetur se sa larg ishte i gatshëm të shkonte për të blerë Grenlandën, dhe ai është përgjigjur: "Do ta zbuloni vetë".
Por ministrja e Industrisë së Grenlandës, Naaja Nathanielsen, i ka thënë BBC-së se banorët e Grenlandës janë "të hutuar" nga kërkesat e Trumpit, duke shtuar: "Ne nuk duam të jemi amerikanë".
E ndërsa tensionet e tij me Trumpin janë rritur, udhëheqësi francez Emmanuel Macron ka dhënë një kritikë të fshehur për politikën e jashtme të presidentit amerikan, duke paralajmëruar për një botë "ku e drejta ndërkombëtare shkelet".
Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, Trumpi do të mbajë një fjalim të mërkurën.
Synimi i Trumpit për Grenlandën pushton ballinat e mediave në Rusi
Synimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë kontrollin e ishullit më të madh të botës, Grenlandës, është bërë titulli kryesor në mediat ruse.
Tabloidi Moskovsky Komsomolets paraqet një ilustrim tallës të Trumpit, Rubios dhe Vance duke ngritur një flamur amerikan në ishull, një imazh që presidenti i SHBA-së e ka postuar edhe online.
“...Trump dhe bashkëpunëtorët e tij janë gati të pushtojnë Grenlandën”, shkruan gazeta, raporton BBC.
“Për momentin, vetëm në rrjetet sociale, por hapi i parë është ai që ka rëndësi”, thuhet më tej në tabloid.
Në Komsomolskaya Pravda (e cila publikon të njëjtën figurë), ambasadori i Rusisë në Danimarkë parashikon se “besimi në unitetin e NATO-s do të zbehet. Edhe tani, aleanca e NATO-s nuk është një grup muskëtierësh ku të gjithë janë për njërin dhe njëri për të gjithë.”
Arguments and Facts ka botuar një skicë mbresëlënëse të Donald Trumpit me një hartë gjigante të Grenlandës mbi kokë, si një kapelë.
“Ideja që Amerika të aneksojë ishullin më të madh në botë është ngulitur fort në kokën e Donald Trumpit?”, përfundon gazeta.
“Në historinë amerikane, marrja e territoreve nuk është diçka e re”, komenton senatori rus Konstantin Kosachev.
Por, vazhdon ai, “imponimi i një transaksioni të tillë është absolutisht i paligjshëm. Kjo është shkelje e sovranitetit të Danimarkës dhe Grenlandës, shkelje e frymës të së drejtës ndërkombëtare…”
“Ndoshta vetë presidenti amerikan ende nuk e kupton se ku qëndrojnë kufijtë e së mundshmes dhe po i teston ato”, ka shtuar ai.
Kush po e shoqëron Trumpin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, po shoqërohet nga një ekip i madh këshilltarësh dhe anëtarësh të administratës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Mediat raportojnë se bashkë me të në forum do të jenë: sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shefi i Shtabit, Susie Wiles, dhe zëvendësi i saj, James Blair, sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, këshilltari i Politikave, Stephen Miller, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert Gabriel, i cili u shpall së fundmi si anëtari i fundit i "bordit ekzekutiv themelues" të "Bodit të Paqes" të Trumpit, ndihmësi politik Beau Harrison, drejtori i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung, sekretari i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, tekstshkruesi i fjalimeve, Ross Worthington dhe ambasadorja Monica Croëley.
Presidenti amerikan pritet të mbajë një fjalim në Forum, teksa paraqitja e tij pritet të ndodhë me tri orë vonesë, për shkak të kthimit të tij në Washington, pak minuta pasi ishte nisur për në Zvicër, si pasojë e një “problemi të vogël” me avionin Air Force One.