Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk arritën të arrijnë një marrëveshje në përfundim të bisedimeve historike ballë për ballë, pasi SHBA-ja tha se Teherani refuzoi të zotohej se nuk do të zhvillojë armë bërthamore, duke lënë paqartësi mbi një armëpushim të brishtë dyjavor.

Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan, tha se bisedimet zgjatën 21 orë në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, por në fund nuk panë “një angazhim të qartë” nga Irani “se nuk do të punojnë për armë bërthamore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Komentet e Vance nuk treguan se çfarë do të ndodhë pas armëpushimit 14-ditor të rënë dakord fillimisht nga SHBA-ja, Irani dhe Izraeli, por ndërmjetësuesit pakistanezë u bënë thirrje palëve që ta ruajnë armëpushimin.

“Është e domosdoshme që palët të vazhdojnë të respektojnë angazhimin e tyre për armëpushim,” tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, duke shtuar se vendi i tij do të përpiqet të lehtësojë një dialog të ri mes Iranit dhe SHBA-së në ditët në vijim.

Irani nuk dha menjëherë një koment zyrtar.

Diskutimet në Islamabad nisën të shtunën, disa ditë pasi u shpall armëpushimi i brishtë, ndërsa lufta që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka tronditur tregjet globale hyri në javën e saj të shtatë.

Vance tha se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me presidentin amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës gjatë negociatave.

“Por fakti i thjeshtë është se ne duhet të shohim një angazhim të qartë që ata nuk do të kërkojnë armë bërthamore dhe nuk do të kërkojnë mjetet që do t’u mundësonin ta arrijnë shpejt një armë të tillë,” u tha Vance gazetarëve. “Ky është qëllimi kryesor i presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo është ajo që kemi tentuar të arrijmë përmes këtyre negociatave.”

Trumpi thotë se NATO-ja do të ndihmojë në pastrimin e Ngushticës së Hormuzit

1 muaj më parë / 12 pri 2026 17:55
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për Fox News se NATO-ja ka ofruar të ndihmojë në “pastrimin” e Ngushticës së Hormuzit. 

Ai e ka bërë këtë njoftim pak pas paralajmërimit të tij për të bllokuar korridorin kryesor të transportit detar.

Trumpi ka thënë se SHBA-ja ishte “shumë e zhgënjyer me NATO-n” por se siç ka thënë “tani ata duan të ndihmojnë me ngushticën”

“Nuk do të duhet shumë kohë për ta pastruar atë, kështu që ne do ta pastrojmë ngushticën”, ka deklaruar Trumpi duke shtuar se mendon se do të jetë e lirë për t'u përdorur përsëri “në një distancë jo shumë të gjatë”.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja po dërgon minapastrues dhe se edhe Mbretëria e Bashkuar, një anëtare e NATO-s, do ta bëjë këtë. 

“E kuptova që Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera po dërgojnë minapastrues”, ka deklaruar ai. 

Trump: SHBA-ja do ta bllokojë menjëherë Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 12 pri 2026 15:20
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do të fillojnë bllokimin e çdo anijeje që përpiqet të hyjë osë të dalë nga Ngushtica e Hormuzit.

Në një postim të gjatë të ri në Truth Social pas dështimit të bisedimeve në Islamabad, ai ka thënë se "takimi shkoi mirë, shumica e pikave u ranë dakord, por e vetmja pikë që kishte vërtet rëndësi, ajo për çështjen bërthamore nuk u arrit”.

Sipas tij, Irani nuk dëshiron të heqë nga ambiciet e tij për armë bërthamore, teksa ka shtuar se SHBA-ja nuk do të lejojë kurrë që ai të ketë armë të tilla. 

Trumpi ka shtuar se "në një moment" do të arrihet një marrëveshje për kalimin e lirë, por se "Irani nuk e ka lejuar këtë të ndodhë".

Në të njëjtin postim, Trumpi ka thënë gjithashtu se ai "i ka dhënë udhëzime Marinës të kërkojë dhe të ndalojë çdo anije në ujërat ndërkombëtare që i kanë paguar një taksë Iranit", dhe se Marina Amerikane do të fillojë "të shkatërrojë minat që iranianët kanë vendosur në ngushticë".

"Askush që paguan një taksë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur", ka thënë ai, duke paralajmëruar se "çdo iranian që qëllon drejt nesh, ose ndaj anijeve paqësore, do të shkatërrohet deri në ferr”.

"Bllokada do të fillojë së shpejti", ka deklaruar Trumpi. 

Reagimi i tij vjen disa orë pasi bisedimet ballë për ballë SHBA-Iran në Pakistan, përfunduan pa ndonjë marrëveshje, edhe pas 21 orësh negociata. 

Irani e mohon se negociatat dështuan për shkak të ambicieve për armë bërthamore

1 muaj më parë / 12 pri 2026 14:36 Nga: BBC
SHBa-IRan

Photo: Associated Press

Në përgjigje të deklaratave nga zyrtarë amerikanë se bisedimet në Islamabad dështuan sepse Irani nuk pranoi të heqë dorë nga rruga drejt armëve bërthamore, një zyrtar iranian e mohoi këtë.

Sipas tij, Irani nuk kërkon të ketë armë bërthamore.

“Kjo nuk është e vërtetë. Qëndrimi i Iranit është i qartë. Irani nuk kërkon të ketë armë bërthamore, por ka të drejtë për energji bërthamore për qëllime paqësore. Kjo e drejtë nuk mund të mohohet dhe duhet të njihet” , ka thënë ai.

Megjithatë, ai tha se Irani është i gatshëm të kufizojë aktivitetet e tij bërthamore si pjesë e masave për ndërtimin e besimit, përfshirë edhe nivelin e pasurimit të uraniumit.

Zyrtari nuk dha detaje të sakta pse dështuan bisedimet dhe foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve.

Ndërkohë, eksperti Ali Vaez nga International Crisis Group tha se dështimi i SHBA-së dhe Iranit për të arritur marrëveshje nuk do të thotë se lufta do të rifillojë menjëherë në Lindjen e Mesme.

“Skenari më i mundshëm nuk është luftë e menjëhershme, por një periudhë tensioni, presioni dhe përpjekjesh të fundit për të shmangur një përshkallëzim më të madh,” tha ai.

Sipas tij, pas këtyre bisedimeve që zgjatën 21 orë, pritet një “përpjekje në tre drejtime”, përfshirë ndërmjetësime të fshehta të udhëhequra nga Pakistani.

Ai gjithashtu pret më shumë lëvizje ushtarake rreth Ngushticës së Hormuzit dhe përpjekje shtesë për të ruajtur armëpushimin dyjavor.

Presidenti amerikan, Donald Trump ende nuk ka reaguar lidhur me dështimin e negociatave me Iranin.

Irani thotë se Ngushtica e Hormuzit është në duart e tij dhe se duhet paguar taksë për kalim

1 muaj më parë / 12 pri 2026 12:27
Ngushtica e Hormuzit

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance nuk e ka përmendur Ngushticën e Hormuzit në konferencën e tij për shtyp pas orësh bisedimesh me Iranin në Pakistan këtë fundjavë.

Kjo rrugë ujore jetësore, ku zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë, ishte një pikë ngërçi në bisedime.

Një pjesë e rëndësishme e armëpushimit të kushtëzuar në fuqi midis SHBA-së dhe Iranit ka qenë kalimi i sigurt i anijeve nëpër ngushticë.

Zëvendëskryetari i parlamentit iranian, Haji Babaei, ka thënë se ngushtica është një vijë e kuqe për Teheranin zyrtar, raporton Agjencia e Lajmeve Mehrs, e cila është e lidhur me Organizatën e Propagandës Islamike.

Ai thotë se ngushtica është plotësisht në duart e Iranit dhe "taksat e saj duhet të paguhen në rial" - monedha iraniane.

Që kur është mbyllur ngushtica nga Irani, çmimet e naftës në botë vazhdimisht janë rritur, duke shkuar herë herë në mbi 100 dollarë për fuçi. 

Starmer inkurajon SHBA-në dhe Iranin të gjejnë zgjidhje

1 muaj më parë / 12 pri 2026 12:16
Keir Starmer

Keir Starmer

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka bërë thirrje që Irani dhe SHBA-ja të “gjejnë një zgjidhje” pas dështimit të bisedimeve në Pakistan, sipas Downing Street.

Gjatë një bisede me Sulltanin e Omanit, Starmer ka thënë se vazhdimi i armëpushimit është “jetik” dhe se “të gjitha palët kanë shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”.

Ndërkohë, Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, i tha BBC-së se është “zhgënjyese” që bisedimet fillestare për përfundimin e luftës në Iran dështuan pa arritur marrëveshje.

Ai gjithashtu mbrojti vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mos u përfshirë në konflikt.

Kryenegociatori iranian: SHBA-ja dështoi ta fitojë besimin tonë

1 muaj më parë / 12 pri 2026 11:32 Nga: BBC
iran

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet në Pakistan, ka deklaruar se tani është koha që SHBA-ja “të vendosë nëse mund ta fitojë besimin tonë apo jo”.

Në një postim në platformën X, Ghalibaf tha se para negociatave kishte theksuar se Irani kishte “mirëbesim dhe vullnet të mirë”, por për shkak të përvojave nga dy luftëra të mëparshme, nuk kishte “besim tek pala tjetër”.

Ai shtoi se delegacioni iranian kishte paraqitur “nisma me vizion për të ardhmen”, por sipas tij, pala tjetër nuk arriti të fitojë besimin e delegacionit iranian gjatë këtij raundi bisedimesh.

“Ne nuk do të ndalemi për asnjë çast në përpjekjet tona për të konsoliduar arritjet e 40 ditëve të mbrojtjes kombëtare të Iranit,” tha ai.

Ghalibaf gjithashtu e përshkroi procesin e negociatave si “intensiv” dhe falënderoi Pakistanin për lehtësimin e tyre.

SHBA-ja dhe Irani me versione të ndryshme për dështimin e bisedimeve

1 muaj më parë / 12 pri 2026 09:50 Nga: BBC
vance

SHBA-ja dhe Irani po japin versione të ndryshme për dështimin e bisedimeve për paqe.

Sipas mediave shtetërore iraniane, bisedimet dështuan për shkak të “kërkesave të paarsyeshme” nga ana e SHBA-së, të cilat penguan arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Transmetuesi shtetëror iranian IRIB tha se, “pavarësisht iniciativave të ndryshme nga delegacioni iranian, kërkesat e paarsyeshme të palës amerikane penguan përparimin e negociatave. Kështu, bisedimet përfunduan.”

Ndërkohë, SHBA-ja ka një qëndrim tjetër, duke thënë se ka qenë “fleksibile” dhe “akomoduese” gjatë procesit.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se presidenti Donald Trump i kishte kërkuar të shkonte në bisedime “me mirëbesim dhe të bënte përpjekjen më të mirë për të arritur një marrëveshje”. Ai shtoi se kjo ishte bërë, por pa rezultat.

Vance theksoi se kishte paraqitur një “propozim shumë të thjeshtë”, që sipas tij ishte oferta përfundimtare dhe më e mira nga pala amerikane, por nuk pati përparim në negociata.

Ende nuk është e qartë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm në kuadër të armëpushimit dyjavor, apo nëse do të ketë bisedime të reja.

Arabia Saudite rikthen në funksion tubacionin kryesor të naftës pas sulmeve

1 muaj më parë / 12 pri 2026 09:48 Nga: BBC
nafte

Arabia Saudite ka rikthyer kapacitetin e plotë të tubacionit të saj kryesor të naftës Lindje-Perëndim, pasi ai dhe infrastruktura përreth u sulmuan të enjten.

Ministria e Energjisë bëri të ditur se sulmet kishin ndalur transportimin e rreth 700 mijë fuçive naftë në ditë përmes këtij tubacioni.

Që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, Arabia Saudite është detyruar të devijojë eksportet e naftës larg Ngushticës së Hormuzit, ku dërgesat pothuajse janë ndalur, duke i orientuar ato drejt tubacionit Lindje-Perëndim, i cili e dërgon naftën në një terminal në Detin e Kuq.

Ministria e Energjisë njoftoi gjithashtu se objekti i prodhimit në Manifa, pranë bregdetit, është rikthyer në funksion pas sulmeve të javës së kaluar, ndërsa punimet për riparim po vazhdojnë në fushën naftëmbajtëse të Khurais, më në brendësi të vendit.

Irani thotë se me SHBA-në kishin mospajtime për dy ose tri çështje të rëndësishme

1 muaj më parë / 12 pri 2026 08:29 Nga: Associated Press
iran

Ministria e Jashtme e Iranit tha të dielën se negociatat me SHBA-në dështuan për shkak të një “hendeku midis qëndrimeve tona mbi dy ose tre çështje të rëndësishme”.

“Në fund, bisedimet nuk rezultuan në një marrëveshje,” tha zëdhënësi Esmaeil Baghaei për televizionin shtetëror iranian. Ai nuk dha detaje se cilat ishin këto çështje.

Për disa tema, sipas Baghaeit, negociatorët amerikanë dhe iranianë “në fakt arritën mirëkuptim të ndërsjellë.” Negociatorët diskutuan për Ngushticën e Hormuzit, tha Baghaei, por nuk përmendi ndonjë diskutim lidhur me armët bërthamore.