Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dëbon mijëra refugjatë në kohë pandemie

Foto: Reuters

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëbuar më shumë se 6 mijë e 300 refugjatë pa dokumente në kufirin me Meksikën, duke përdorur kompetencat emergjente për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë.

Një masë e shëndetit publik, e miratuar më 21 mars, ua lejon zyrtarëve të shmangin ligjet e imigracionit, duke i përshpejtuar proceset e dëbimit të refugjatëve pa dokumente, transmeton KOHA.

Kritikët kanë thënë se urdhri po shfrytëzohet si mjet për zgjerimin e politikave të rrepta të imigracionit.

Ndërkohë numri i kalimeve të paligjshme kufitare ka rënë si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimit në të gjithë rajonin.

Vitet e fundit shumica e atyre që janë përpjekur që të hyjnë në SHBA kanë qenë nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, dhe në këtë gjë ata rëndom kanë përmendur si shkas ikjen nga varfëria dhe dhuna.