Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtria amerikane ka thënë të martën vonë se ka përdorur bomba të fuqishme "thellë depërtuese" për të goditur vendet e raketave iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit.

E shefi i ushtrisë iraniane ka paralajmëruar për një përgjigje "vendimtare" pas vdekjes së shefit të sigurisë Ali Larijani, zyrtarit më të lartë të vrarë që nga udhëheqësi suprem, Ali Khamenei.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vdekja e tij thellon krizën në zemër të udhëheqjes së Iranit, shkruan BBC.

Sulmet hakmarrëse gjatë natës nga Irani dhe grupet e tij aleate të milicisë kanë vazhduar. Në Izrael, dy persona kanë vdekur në Tel Aviv, pasi kanë pësuar lëndime të rënda, ka thënë shërbimi i ambulancës.

Në Liban, Izraeli ka nisur një seri sulmesh vdekjeprurëse në Bejrutin qendror dhe ka urdhëruar evakuime në Libanin jugor, ndërsa vazhdon ofensivën e tij kundër Hezbollahut.

Shpërthimet kanë rrafshuar një ndërtesë në qendër të qytetit të Bejrutit, një zonë e rrethuar nga biznese dhe hotele raportojnë mediat në vendngjarje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën në Shtëpinë e Bardhë se tani për tani nuk mund të thotë se sulmet ndaj Iranit do të ndalen, duke shtuar se kjo mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë po të martën, ka ndodhur dorëheqja e parë në administratën Trump për shkak të luftës ndaj Irani. Kreu i Qendrës Kombëtare kundër Terrorizmit, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqje, me arsyetimin se nuk mund ta mbështesë këtë luftë.

Në letrën e dorëheqjes, ai ka thënë se Irani nuk paraqiste kërcënim të drejtpërdrejt ndaj SHBA-së dhe se vetë SHBA-ja ishte shtyrë nga Izraeli që të niste luftën. 

Rreth 200 të lënduar në Izrael nga sulmet e Iranit

37 min. më parë / 18 mar 2026 09:18
Tel Aviv

Photo: Associated Press

Rreth 200 persona janë plagosur dhe dërguar në spital në 24 orët e fundit në Tel Aviv, si pasojë e sulmeve iraniane ndaj Izraelit. 

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit thotë se katër nga të plagosurit janë në gjendje më të rëndë, ndërsa 177 po trajtohen për lëndime të lehta. 

Nuk është e qartë se në çfarë gjendjeje janë 11 personat e tjerë.

Sipas ministrisë, 3,727 persona janë shtruar në spital që nga fillimi i konfliktit. 
SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, për shkak të programit bërthamor të

Teheranit. Sulmet kanë nisur pas rundit të tretë të bisedimeve indirekte mes SHBA-së dhe Iranit, për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim.

Irani eksporton miliona fuqi nafte pavarësisht luftës, rreth 90 anije kalojnë Ngushticën e Hormuzit

1 o. më parë / 18 mar 2026 08:38
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Rreth 90 anije, përfshirë cisterna nafte, kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i luftës ndaj Iranit dhe vendi vazhdon të eksportojë miliona fuçi nafte, në një kohë kur kjo rrugë ujore është praktikisht e mbyllur, sipas platformave të të dhënave detare dhe tregtare.

Shumë prej anijeve që kanë kaluar nëpër ngushticë kanë qenë të ashtuquajtura kalime “të errëta”, duke shmangur sanksionet dhe mbikëqyrjen e qeverive perëndimore, dhe që me gjasë kanë lidhje me Iranin, ka thënë kompania e të dhënave detare Lloyd’s List Intelligence. 

Kohët e fundit, edhe anije me lidhje me Indinë dhe Pakistanin kanë kaluar me sukses nëpër ngushticë, ndërsa qeveritë kanë intensifikuar negociatat.

Ndërsa çmimet e naftës bruto janë rritur në mbi 100 dollarë për fuçi, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion mbi aleatët dhe partnerët tregtarë që të dërgojnë anije luftarake dhe të rihapin ngushticën, me shpresën për të ulur çmimet e naftës.

Shumica e trafikut detar nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për transportin global të naftës dhe gazit që furnizon rreth një të pestën e naftës bruto në botë, është ndalur që nga fillimi i marsit, pasi nisi lufta. Rreth 20 anije janë sulmuar në zonë.

Megjithatë, Irani ka arritur të eksportojë mbi 16 milionë fuçi nafte që nga fillimi i marsit, sipas vlerësimeve të platformës së të dhënave tregtare dhe analizës Kpler. Për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rreziqeve përkatëse, Kina ka qenë blerësi më i madh i naftës iraniane.

Ka pasur një “qëndrueshmëri të vazhdueshme” në vëllimet e eksportit të naftës së Iranit, ka thënë analistja e rrezikut tregtar në Kpler, Ana Subasic.

Irani ka arritur të përfitojë nga shitjet e naftës dhe gjithashtu të “ruajë arterien e vet të eksportit” duke përdorur kontrollin mbi këtë pikë kyçe, ka thënë Kun Cao, drejtor klientësh në firmën konsulente Reddal.

Vlerësimet për eksportet e naftës së Iranit përputhen kryesisht me të dhënat e trafikut detar.

Të paktën 89 anije kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit midis 1 dhe 15 marsit – përfshirë 16 cisterna nafte, sipas Lloyd’s List Intelligence, një rënie nga rreth 100 deri në 135 kalime anijesh në ditë para luftës.

Më shumë se një e pesta e këtyre 89 anijeve besohet se kanë lidhje me Iranin, ndërsa anije të lidhura me Kinën dhe Greqinë janë ndër të tjerat.

Edhe anije të tjera kanë arritur të kalojnë.

Cisterna e naftës bruto me flamur pakistanez “Karachi”, e kontrolluar nga Pakistan National Shipping Corp., ka kaluar nëpër ngushticë të dielën, sipas Lloyd’s List Intelligence.

Anijet transportuese të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) me flamur indian “Shivalik” dhe “Nanda Devi”, të dyja në pronësi të Shipping Corp. of India, gjithashtu kanë udhëtuar nëpër ngushticë rreth datave 13 ose 14 mars, sipas Lloyd’s List Intelligence. LPG përdoret si karburant kryesor për gatim nga miliona familje indiane.