Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA: 17-vjeçari fle në një veturë të vjedhur, polici ulet pas tij dhe e qëllon për vdekje

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim për vdekjen e një adoleshenti në Washington, i cili u qëllua nga një oficer i ulur pas tij në një veturë. Më 18 mars, Dalaneo Martin (17 vjeç) ishte duke fjetur në një automjet të parkuar, i vjedhur, kur policia erdhi, hapi derën dhe u përpoq ta arrestonte.

Pamjet nga kamerat në uniformat e policëve tregojnë se ata futen fshehurazi në veturë me qëllim arrestimin e të dyshuarit. I dyshuari afroamerikan u zgjua dhe u përpoq të largohej me veturë, megjithëse një polic tashmë ishte në ulësen e pasme.

Oficeri e urdhëroi të miturin të ndalonte veturën dhe më pas e qëlloi nga prapa.

“Stop. Ndal ose do të qëlloj”, i thotë polici 17-vjeçarit disa sekonda para se të qëllonte disa herë me armë, shkruan BBC.

Pamjet tregojnë se vetura përplaset me shtëpinë disa sekonda më vonë dhe oficerët jashtë veturës i japin ndihmën e parë adoleshentit. Oficerët thonë se një armë u gjet në veturë.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se ishte një “rast tragjik dhe shqetësues” dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe miqtë e 17-vjeçarit të vrarë.

Edhe Vdes 13-vjeçari pasi u qëllua nga policia e New Yorkut Botë Vdes 13-vjeçari pasi u qëllua nga policia e New Yorkut

Kryetari i sindikatës së Policisë mbrojti veprimet e oficerit.

“Kishte një arsye legjitime, ligjore që oficeri të ishte në veturë, dhe përdorimi i forcës ishte gjithashtu i justifikuar. Sindikata qëndron prapa veprimeve të ndërmarra nga policia”, ka thënë ai.

Nëna e adoleshentit të vrarë, Terra Martin, ka kërkuar që polici që qëlloi djalin e saj të shkarkohet nga puna dhe të ndiqet penalisht në gjykatë.