Botë

Sëmundjet më të rrezikshme sesa bombardimet në Gazë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse sistemi shëndetësor në Gaza nuk rregullohet, sëmundjet e patrajtuara do të vrisnin më shumë njerëz se bombardimet atje.

Diarreja dhe sëmundjet e frymëmarrjes janë mjaft të përhapura në mesin e fëmijëve në objektet e stërmbushura të OKB-së, ku aktualisht po strehohen pothuajse 1.1 milion njerëz. Madje, as pacientët me sëmundje kronike, të tilla si kanceri, nuk po marrin asnjë trajtim.

Ky paralajmërim vjen pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka përfunduar dhe forcat izraelite kanë vazhduar bombardimin e Gazës.

Marrëveshja e fundit e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara ka rezultuar në lirimin e 20 grave dhe fëmijëve të tjerë izraelitë të mbajtur peng në Gaza në këmbim të lirimit të 60 grave dhe adoleshentëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Në ditën e katërt dhe të fundit të marrëveshjes fillestare, të hënën u liruan 11 pengje dhe 33 të burgosur, duke e çuar totalin në gjithsej 50 pengje dhe 150 të burgosur të liruar.

Sipas marrëveshjeve të veçanta, Hamasi ka dorëzuar gjithashtu nëntëmbëdhjetë shtetas të huaj, njëri prej të cilëve ka nënshtetësi izraelite.

Si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza duke vendosur një rrethim. Të paktën 1200 njerëz u vranë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Sipas Qeverisë së drejtuar nga Hamasi më shumë se 15 mijë njerëz janë vrarë në territorin e Gazës që nga fillimi i luftës.

Përhapja e sëmundjeve

Sipas OKB-së, më shumë se 1.8 milionë njerëz në Gaza i kanë braktisur shtëpitë e tyre gjatë shtatë javëve të fundit. Përafërsisht, 60% e tyre janë strehuar në 156 objekte të agjencisë së OKB-së të parapara për refugjatët palestinezë.

Në një konferencë për media të mbajtur në Gjenevë, zëdhënësja e OBSH-së Dr. Margaret Harris ka theksuar se sipas një vlerësimi në këto strehimore janë hasur shpërthime të sëmundjeve infektive, me raste të diarresë te fëmijët e moshës 5 vjeç e tutje, 100 herë më shumë se nivelet normale deri në fillim të nëntorit.

“Për sa kohë nuk ka asnjë trajtim, këta fëmijë e në veçanti foshnjat mund të përkeqësohen e të vdesin shumë shpejt”, shprehet ajo.

Sipas OKB-së, në veri të Gazës, ku edhe ishte fokusi i ofensivës tokësore izraelite, vetëm pesë spitale funksionojnë pjesërisht. Ndërsa në jug, ku ushtria izraelite ka urdhëruar civilët të largohen, tetë nga njëmbëdhjetë spitalet janë funksionale. Vetëm një prej këtyre spitaleve është i pajisur për të trajtuar rastet kritike të traumës ose operacionet e ndërlikuara.

"Përfundimisht, ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundjet sesa po shohim nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje ta rregullojmë së bashku këtë sistem shëndetësor," paralajmëroi Dr Harris.

Përmes një video-lidhjeje nga Gaza, zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder raportoi se kishte parë spitale plot me fëmijë të plagosur rëndë, duke treguar se kishte hasur në një fëmijë që i mungonte një pjesë e këmbës teksa ishte i shtrirë në dyshemenë e spitalit, pa mundur të trajtohej si pasojë e mungesës së stafit mjekësor. Shumë nga fëmijët tjerë të plagosur ishin shtrirë në parkingje dhe ambiente jashtë spitalit, tha ai.

Fëmijët e zhvendosur dhe familjet e tyre po vuajnë gjithashtu për shkak të mungesës së strehimit dhe veshjeve të duhura për t'i mbrojtur ata nga moti i ftohtë e me shi që po mbizotëron në Gaza.

Sipas autoriteteve amerikane, 800 kamionë ndihmash hynë në Gaza brenda katër ditëve të para të armëpushimit, disa prej të cilëve arritën në veri. Kjo është një rritje në krahasim me ditët e mëparshme, por është ende vetëm një pjesë e numrit të zakonshëm.

Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se rifillimi i luftimeve në kushte të tilla as që duhet të mendohet dhe ata po këmbëngulin edhe një herë për një armëpushim të përhershëm.

Kryeministri i Izraelit ka premtuar se ushtria e tij “do të këmbëngulë në realizimin e qëllimeve”, pasi të përfundojë armëpushimi.

Ministria e Jashtme e Katarit, nga ana tjetër, deklaroi të martën se zgjatja do të përdoret për të kërkuar një "armëpushim të qëndrueshëm që do të çonte në negociata të mëtejshme dhe përfundimisht një fund... të kësaj lufte”.

"Ne po punojmë me atë që kemi. Dhe gjithë çfarë kemi tani është dispozita e marrëveshjes që na lejon të zgjasim ditët për aq kohë sa Hamasi është në gjendje të garantojë lirimin e të paktën 10 pengjeve," u tha zëdhënësi Majed al-Ansari gazetarëve në Doha.

Ai shtoi se ndërmjetësit shpresonin të merrnin informacion nga Hamasi për më shumë se 150 izraelitë dhe shtetas të huaj që ende mbahen peng, përfshirë këtu fëmijë deri në 10 muajsh si dhe një numër i konsiderueshëm ushtarësh.

Lirimi i pengjeve

Sipas një burimi të brendshëm të Hamasit në Katar, Hamasi nuk i kontrollon të gjithë pengjet civile. Disa janë të lidhur me grupe më të vogla të armatosura si Xhihadi Islamik Palestinez, i cili, si Hamasi, është përcaktuar si një organizatë terroriste nga Izraeli, Mbretëria e Bashkuar dhe qeveritë e tjera perëndimore.

Sipas këtij burimi, Hamasi kërkon më shumë kohë për të mbledhur informacione dhe për të kontaktuar me njerëzit, pasi që komunikimi është bërë jashtëzakonisht i vështirë për shkak të dëmtimit të rrjetit të telekomunikacionit dhe mungesës së karburantit për ta furnizuar atë.

Ansari tha gjithashtu se ishin raportuar vetëm "shkelje minimale" të armëpushimit.

Por dy orë pasi ai foli, ushtria izraelite deklaroi se tre pajisje shpërthyese ishin shpërthyer pranë trupave të saj në dy lokacione të ndryshme në veri të Gazës, në kundërshtim me marrëveshjen.

“Në një nga lokacionet, terroristët sulmuan ushtarët tanë, të cilët pastaj iu kundërpërgjigjën sulmit. Një numër ushtarësh u plagosën lehtë gjatë incidenteve," thuhet në deklaratë.

Krahu ushtarak i Hamasit deklaroi se kishte pasur “fërkime” në veri dhe se ushtarët e këtij grupi ishin përballur me një “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit nga ana e ushtrisë izraelite.

Të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime u raportuan më herët në qytetin veriperëndimor të Gazës.

Një gazetar lokal i tha BBC-së se dhjetëra njerëz hasën në një tank dhe të shtëna paralajmëruese të ushtrisë izraelite derisa po përpiqeshin të ktheheshin nga jugu në shtëpitë e tyre në zonën Sheikh Radwan. Thuhet se një person është plagosur dhe një ndërtesë është goditur nga një predhë.

Përktheu: Kaona Sejdiu