Këshilli Evropian do të mbajë të enjten seancë të jashtëzakonshme, ku një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë ndihma e re për Ukrainën dhe një përpjekje për të ndryshuar politikën dhe mendimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Sesioni i jashtëzakonshëm i Këshillit Evropian është vazhdim i seancës së dhjetorit 2023, kur Orbani, pra Hungaria, vuri veton ndaj ndihmës për Ukrainën, gjë që shkaktoi stuhi reagimesh brenda Bashkimit Evropian.
Plani financiar shtesë parashikon 64.6 miliardë euro, nga të cilat 50 miliardë euro do t'i ndahen Fondit të Ukrainës, 2 miliardë euro për migracionin, 7.6 miliardë euro për fqinjësinë dhe botën dhe 1.5 miliardë euro për Fondin Evropian të Mbrojtjes.
Gjithashtu, është planifikuar të ndahen 2 miliardë euro për instrumentin e fleksibilitetit dhe 1.5 miliardë euro për rezervën e solidaritetit.
Natyrisht, përveç temave të tjera të shumta, është thuajse e sigurt që presidenti i KE-së, Charles Michel dhe zyrtarë të tjerë do të duhet të bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta bindur Orbanin të ndryshojë mendje.
Edhe
BE-ja planifikon t’ia paguajë Ukrainës këtë pranverë ndihmën e bllokuar nga Hungaria
“Orbani është ende kokëfortë. Në dhjetor, ai fillimisht bllokoi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Për të lehtësuar një vendim unanim të Bashkimit Evropian, kryeministri i Hungarisë u largua për pak kohë nga salla”, shkruan austriakja “Der Standard”.
Përveç ndihmës për Ukrainën, Michel, ka thënë se ka çështje të tjera të rëndësishme si situata në Gaza dhe Lindja e Mesme, si dhe sulmet e Houthit ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
“Mbi të gjitha do të përpiqemi për unitet”, ka thënë një nga diplomatët evropianë.
Duke marrë parasysh ngjarjet në samitin e fundit të Këshillit Evropian, duket se ky unitet, veçanërisht me qëndrimin e Hungarisë, do të jetë shumë i vështirë për t'u arritur.
Kjo lidhet veçanërisht me faktin se Brukseli tashmë ka filluar të bëjë plane për të dobësuar ekonominë hungareze nëse Orbani bllokon ndihmën për Ukrainën.
Në një dokument të hartuar nga zyrtarët e BE-së dhe parë nga Financial Times, Brukseli përshkroi një strategji për të synuar në mënyrë eksplicite dobësitë ekonomike të Hungarisë, për të kërcënuar monedhën e saj dhe për të shkaktuar kolaps të besimit të investitorëve në një përpjekje për të dëmtuar “punët dhe rritjen” nëse Budapesti refuzon të heqë veton kundër ndihmës për Kievin.
Edhe
Hungaria vazhdon të bllokojë ndihmat e BE-së për Ukrainën dhe sanksionet për Rusinë
“Kjo është Evropa që i thotë Orbanit 'mjaft është mjaft; është koha për t’u futur në radhë. Ju mund të keni një armë, por ne kemi një zolë”, u shpreh Mujtaba Rahman, drejtor për Evropë i konsulencës “Eurasia Group”.