Botë

Së paku 25 të vdekur nga bombardimet ruse nëpër Ukrainë

Rusia ka nisur fushatën e re ajrore mbi qytetet ukrainase pak ditë pasi ushtria e Ukrainës ka thënë se është gati të nisë ofensivën e pranverës me armatimin që ka pranuar nga Perëndimi. Nga bombardimet ruse kanë vdekur së paku 25 persona nëpër qytetet ukrainase.

Rusia ka nisur fushatën e re ajrore kundër qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin, duke lënë të vdekur së paku 25 persona.

Njëmbëdhjetë, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën nga bombardimi i bllokut të apartamenteve në qytetin Uman.

Ndërkaq një grua dhe vajza e saj trevjeçare kanë vdekur nga bombardimet në qytetin Dnipro. Bombardimet janë raportuar edhe në qytetin Kremenchuk në pjesën qendrore të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se blloku i apartamenteve ishte në mesin e dhjetë ndërtesave që u bombarduan në Uman. Shërbimet emergjente kanë bërë të ditur se fëmija që ka vdekur nga bombardimet kishte 10 vjet.

Zelenskyy ka thënë se sulmet ruse kanë treguar se duhen edhe më shumë masa ndërkombëtare kundër Rusisë.

Ai ka bërë thirrje për më shumë armë për ushtrinë ukrainase dhe për sanksione ndërkombëtare ndaj Rusisë. Administrata në kryeqytetin ukrainas ka njoftuar se bombardimet e së enjtes ishin të parat në 51 ditët e fundit. Në kryeqytetin e Ukrainës nuk është raportuar për të vdekur nga bombardimet.

Ushtria ukrainase ka njoftuar se 21 nga 23 raketat ruse janë shkatërruar nga sistemi kundërajror. Fushata ajrore e Rusisë ka nisur në kohën kur forcat ukrainase kanë thënë se janë gati për ofensivën pranverore me armatimin e ri që kanë marrë nga shtetet perëndimore.

Në anën tjetër, Rusia ka dështuar me ofensivën e saj dimërore, pasi edhe pas 10 muajsh luftë nuk ka arritur të marrë kontrollin e qytetit të rëndësishëm të Bakhmutit. Moska më parë ka deklaruar se cak i saj nuk janë civilët, mirëpo mijëra civilë ukrainas janë vrarë dhe plagosur qëkur nisi pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Një prej viktimave ishte edhe 75-vjeçarja që jetonte në njërën nga ndërtesat e bombarduara në Uman. Policia kombëtare e Ukrainës ka njoftuar se 17 persona janë nxjerrë nga rrënojat. Nëntë prej tyre janë dërguar në spital.

Bombardimet ishin larg frontit të luftës ose zonave aktive në lindje të Ukrainës, pjesë që me muaj të tërë janë zonë lufte. Moska vazhdimisht ka goditur me raketa me rreze të gjata gjatë luftës në Ukrainë. Shpesh ka goditur edhe zonat me civilë.

Zyrtarët ukrainas dhe analistët kanë thënë se sulmet e tilla janë pjesë e strategjisë së Kremlinit për të poshtëruar Kievin.

Arsyetimi i Rusisë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se raketat me rreze të gjata janë lëshuar në drejtim të vendeve, në të cilat njësitë rezervë të ushtrisë ukrainase po qëndronin para se të shkonin në frontin e luftës.

“Nga sulmi është arritur qëllimi. Të gjitha caqet janë goditur”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov. Ai nuk ka përmendur ndërtesat e civilëve që janë goditur në Ukrainë.

Të mbijetuarit e sulmeve të Umanit treguan momente të tmerrshme kur raketat goditën kur jashtë ende ishte errësirë.

Halyna, banore e ndërtesës, ka thënë se me burrin ishin të mbuluar me xhama shkaku i shpërthimit të fuqishëm. Ata panë flakë jashtë dritares së tyre dhe dolën jashtë, por fillimisht Halyna kontrolloi nëse shoqja e saj në apartamentin fqinj ishte mirë.

“Po i telefonoja, e thërrisja (në telefon), por ajo nuk e hapte. Bile i rashë ziles, por ende pa përgjigje”, ka thënë ajo. Ajo përdori çelësat rezervë nga apartamenti i shoqes së saj dhe hyri brenda për ta kontrolluar. Ajo e gjeti shoqen e vdekur. Halyna refuzoi të jepte mbiemrin e saj për arsye sigurie.

Një tjetër banore e ndërtesës, Olha Turina, ka thënë se shkaku i shpërthimit xhama kishte kudo.

Turina, burri i së cilës po lufton në vijën e parë të frontit, ka thënë se një nga shokët e klasës së fëmijës së saj mungonte.

“Nuk e di se ku janë, nuk e di nëse janë gjallë”, ka thënë ajo. “Nuk e di pse duhet ta kalojmë gjithë këtë. Ne kurrë nuk shqetësonim askënd”.

Tri çanta trupash shtriheshin pranë ndërtesës teksa tymi vazhdonte të dilte disa orë pas sulmit. Ushtarët, civilët dhe ekuipazhet e emergjencës kërkuan nëpër rrënojat jashtë për më shumë viktima, ndërsa banorët tërhoqën zvarrë sendet nga ndërtesa e dëmtuar. Një grua, duke qarë e tronditur, u mor nga ekipet e shpëtimit për ndihmë.

Julia Norovkova, zëdhënëse e ekuipazheve të shpëtimit emergjent në vendngjarje, tha se vullnetarët vendas po ndihmonin rreth 150 personel të urgjencës. Dy stacione të ndihmës, duke përfshirë psikologë, po funksiononin, ka njoftuar ajo.

Sulmet erdhën disa ditë pasi presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë se ai dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping zhvilluan një telefonatë "të gjatë dhe kuptimplotë", ku Xi tha se qeveria e tij do të dërgojë një të dërguar paqeje në Ukrainë dhe vende të tjera.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se bombardimet e së premtes treguan se Kremlini nuk është i interesuar për një marrëveshje paqeje.

“Sulmet me raketa që vrasin ukrainas të pafajshëm në gjumë, duke përfshirë një fëmijë 2-vjeçar, është përgjigjja e Rusisë ndaj të gjitha nismave të paqes”, shkroi ai në Twitter. “Rruga drejt paqes është të dëbosh Rusinë nga Ukraina”.

Presidenti çek, Petr Pavel, në një vizitë në Ukrainë, nuk ishte i bindur nga mohimet e mëparshme të Kremlinit të përgjegjësisë për gjakderdhjen e tillë.

“Numri i sulmeve ndaj objektivave civile çon në një përfundim të vetëm se sulmet janë të qëllimshme”, ka thënë Pavel për mediat çeke. “Është një plan i qartë që synon të shkaktojë kaos, tmerre në mesin e popullatës civile”.

Menjëherë pasi Moska lëshoi raketat, Ministria ruse e Mbrojtjes postoi një foto në Telegram që tregon një lëshim rakete dhe duke thënë: “Goditje në objektiv”.

Mesazhi shkaktoi zemërim midis ukrainasve në mediat sociale dhe disa zyrtarëve, të cilët e panë atë si të gëzuar për viktimat.

“Ministria e Vrasjeve të Federatës Ruse është e lumtur që goditi një ndërtesë banimi me raketë dhe vrau civilë”, ka thënë Andriy Yermak, shefi i zyrës presidenciale të Ukrainës.