Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholz pas bisedës me Putinin: Çdo aneksim nuk do të mbetet pa përgjigje

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ende s'e ka kuptuar që agresioni mbi Ukrainën ishte i gabueshëm.

Deklaratën, Scholz e bëri pas bisedës telefonike që pati me Putinin të martën, raportoi “Reuters” të mërkurën.

Duke komentuar bisedën, Scholz u shpreh se është e rëndësishme që Putini të tërhiqet nga pushtimi, e që sipas tij, çdo aneksim i mëtutjeshëm “nuk do të mbetet pa përgjigje dhe nuk do të njihet në asnjë rrethanë”.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës ushtarake dhe pasojat e luftës në Ukrainë, kancelari i kërkoi presidentit rus që të gjejë një zgjidhje diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar në një armëpushim, një tërheqje të plotë të trupave ruse dhe respektimin të integritetit territorial e sovranitetit të Ukrainës”, shkroi zëdhënësi i Qeverisë federale, Steffen Hebestreit.

Sipas Hebestreit, liderët u dakorduan që të mbesin në kontakt. Para se të fliste me Putinin, kancelari Scholz pati një bisedë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.