Një sulm me raketë i Rusisë mbi infrastrukturën portuale në Odesa, në jug të Ukrainës, ka lënë të vrarë tetë persona dhe ka plagosur 27 të tjerë, kanë njoftuar të shtunën shërbimet emergjente ukrainase. Sulmi ka ndodhur në kohën kur një emisar i Kremlinit pritet të udhëtojë drejt Floridës për bisedime mbi një plan paqeje të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës që po zgjat gati katër vjet.
Këto diskutime janë pjesë e përpjekjeve disamujore të administratës së presidentit Donald Trump për arritjen e paqes, të cilat këtë javë kanë përfshirë edhe takime me zyrtarë ukrainas dhe evropianë në Berlin. Kryenegociatori i Ukrainës ka deklaruar të premten mbrëma se delegacioni i tij ka përfunduar takime të ndara në SHBA me partnerë amerikanë dhe evropianë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se shumëçka do të varet nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara pas bisedimeve me palën ruse. Duke folur në një konferencë për media në Kiev, së bashku me kryeministrin e Portugalisë, Luís Montenegro, Zelenskyy ka theksuar se “pyetja kyçe mbetet se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara pas konsultimeve me rusët”.
Ai ka shtuar se Ukraina dhe Portugalia kanë nënshkruar një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të dronëve detarë, duke e cilësuar këtë si një nga fushat më premtuese të bashkëpunimit në mbrojtje. Sipas Zelenskyt, fokusi tani duhet të jetë në rezultate konkrete dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës për t’u përballur me çdo kërcënim.