Botë

Rusia vazhdon ta akuzojë Ukrainën se po vonon lirimin e ushtarëve të vrarë

Sulmi në Sumy në Ukrainës (13 prill)

Foto: Associated Press

Zyrtarët rusë kanë thënë të dielën se Moska është ende duke pritur konfirmim zyrtar nga Kievi se do të ndodhë shkëmbimi i planifikuar i 6,000 trupave të ushtarëve të vrarë në luftë, duke përsëritur akuzat se Ukraina po e shtyn shkëmbimin.

Media shtetërore ruse ka cituar gjenerallejtënant Alexander Zorin, një përfaqësues të grupit negociator rus, të ketë thënë se Rusia dorëzoi grupin e parë prej 1,212 trupash të ushtarëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës në vendin e shkëmbimit në kufi dhe po pret konfirmim nga pala ukrainase, por se ka "sinjale" se procesi i transferimit të trupave do të shtyhet deri javën tjetër, raporton AP.

Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën të shtunën se po rrezikonin planet për të shkëmbyer 6,000 trupa të ushtarëve të vrarë në aksion, për të ciët është rënë dakord gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll më 2 qershor, të cilat nuk sollën përparim drejt përfundimit të luftës.

Vladimir Medinsky, një ndihmës i Putinit i cili ka udhëhequr delegacionin rus, ka thënë se Kievi e ka ndalur në minutën e fundit një shkëmbim të afërt. 

Në një postim në Telegram të shtunën, Medinsky ka thënë se kamionët frigoriferikë që transportonin më shumë se 1,200 trupa ukrainase nga Rusia kishin arritur tashmë në vendin e dakordësuar të shkëmbimit në kufi. 

Në përgjigje, Ukraina ka thënë se Rusia po luante "lojëra të ndyra" dhe po manipulonte faktet. 

Sipas autoritetit kryesor ukrainas që merret me shkëmbime të tilla, nuk ishte caktuar asnjë datë për riatdhesimin e trupave. 

Në një deklaratë të shtunën, agjencia ka akuzuar gjithashtu Rusinë për paraqitjen e listave të të burgosurve të luftës për riatdhesim që nuk korrespondonin me marrëveshjet e arritura të hënën.