Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia tregon se si do të pajtohej për planin e paqes me Ukrainën

Rusia ka hedhur poshtë të mërkurën planin e paqes prej 10 pikash të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se propozimet për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë duhet të marrin parasysh atë që e quan "realiteti i sotëm" i katër rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia, shkruan BBC.

"Nuk mund të ketë një plan paqeje për Ukrainën që nuk merr parasysh realitetin e sotëm në lidhje me territorin rus, me hyrjen e katër rajoneve në Rusi. Planet që nuk e marrin parasysh këtë realitet nuk mund të jenë paqësore", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në shtator, Rusia shpalli rajonet e Ukrainës Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporozhye si pjesë të territorit të saj pas një referendumi të dënuar nga Ukraina dhe vendet perëndimore. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.

Presidenti Zelensky promovoi planin e tij të paqes prej 10 pikash, të cilin e shpalli për herë të parë në nëntor, duke e diskutuar atë, ndër të tjera, me presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe duke u bërë thirrje liderëve botërorë që të mbajnë një Samit Global të Paqes bazuar në të.

Plani parashikon tërheqjen e trupave ruse nga territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës, që do të thotë se Rusia do të heqë dorë nga katër rajonet që pretendon se i ka aneksuar, si dhe nga Krimea, të cilën e aneksoi në vitin 2014.

Kremlini ka thënë vazhdimisht se është i hapur për negociata paqeje me Ukrainën, por nuk e sheh gatishmërinë e Kievit për negociata.