Ukraina duhet t’i marrë parasysh “realitetet” e reja territoriale që përfshijnë aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, u tha nga Kremlini të martën, në një përgjigje për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, rreth propozimit për paqe.
Siç raportoi TheGuardian të martën, propozimet e Ukrainës, Rusia i quajti hapa drejt vazhdimit të armiqësive.
“Pala ukrainase duhet të marrë parasysh realitetet që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe. Dhe këto realitete tregojnë se në Federatën Ruse janë shfaqur subjekte të reja. Ato u shfaqën si rezultat i referendumeve që u zhvilluan në këto territore. Pa marrë parasysh këto realitete të reja, asnjë lloj përparimi nuk është i mundur”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Peskov u shpreh se Rusia nuk do të nisë tërheqjen e trupave të tyre nga territoret ukrainase, siç u kërkua nga Zelensky.
Presidenti ukrainas, në një deklaratë për vendet e G-7, tha se Rusia duhet të nisë largimin e trupave nga Ukraina deri në Krishtlindje, “për të treguar se është e aftë të braktisë agresionin e saj”.
Zelensky tha se kjo është mundësi e re për të bërë hapa të vërtetë dhe kuptimplotë drejt zgjidhjes diplomatike.
Edhe
Rusia tregon se si do të pajtohej për planin e paqes me Ukrainën
“Festat janë përpara, të festuara nga miliarda njerëz në mbarë botën: Krishtlindjet e kalendarit Gregorian, Viti i Ri, Krishtlindjet e kalendarit Julian. Kjo është koha kur njerëzit normalë mendojnë për paqen, jo për agresionin. I ofroj Rusisë mundësinë që të paktën të përpiqet të demonstrojë se mund të braktisë rrugën e agresionit. Do të ishte e drejtë të fillonim tërheqjen e trupave ruse nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës këtë Krishtlindje”, u shpreh ai.
Aktualisht, Rusia s’ka kontroll të plotë në asnjë prej katër provincave të Ukrainës që pretendon se i aneksoi në shtator, por që shumica e vendeve anëtare të OKB-së i kanë dënuar si të paligjshme.