Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia planifikon të organizojë referendum në qytetin ukrainas Kherson

Një zyrtar rus në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson, ka sinjalizuar se Moska mund të përpiqet të organizojë një referendum në Kherson.

“Me shumë mundësi do të jetë një referendum”, ka thënë Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës së vendosur nga Kremlini.

Ai nuk dha datë për ndonjë votim të mundshëm. Duket e pamundur që një votim i besueshëm të mund të mbahet në një rajon në mes të një lufte dhe në kohën kur forcat ukrainase kanë nisur një kundërofensivë në Kherson, shkruan BBC-ja të martën.

Khersoni ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra gjatë pushtimit dhe Moska është përpjekur të vendosë rublën ruse në qarkullim atje.

Zyrtarët rusë kanë folur tashmë në favor të mbajtjes së referendumeve në zonat e pushtuara të Ukrainës jugore, por ka pak mundësi që ndonjë votim të shihet ndërkombëtarisht si i lirë apo i drejtë. Një votim në vitin 2014, ku Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, u dënua nga vendet perëndimore si të paligjshme dhe mashtrim.