Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia nuk do të pranojë bisedimet për armët sipas kushteve të SHBA-së

Rusia ka thënë të mërkurën se do të diskutojë vetëm për kontrollin e armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e një debati më të gjerë, duke thënë se nuk do të pranonte përpjekjet e Washingtonit për të nisur bisedimet sipas kushteve të veta, ka raportuar Reuters.

“Ne jemi gati për të diskutuar çështjet e stabilitetit strategjik vetëm si pjesë e një kompleksi të vetëm”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së huaj ruse, Maria Zakharova.

“Washingtoni është duke ofruar dialog vetëm në kushtet e SHBA-së”, ka shtuar Zakharova. Sipas saj, SHBA-ja ka humbur kontrollin mbi armët me të cilat e ka furnizuar Ukrainën, kështu që do të ishte e vështirë për Moskën të pranonte bisedimet rreth armëve me Washingtonin.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin që nga Kriza e Raketave kubane në vitin 1962.

Kremlini, i cili akuzon SHBA-në se është duke luftuar kundër Rusisë duke mbështetur Ukrainën financiarisht, me armë dhe inteligjencë, ka thënë se marrëdhëniet me Washingtonin ndoshta nuk kanë qenë kurrë kaq keq.