Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia kërkon sërish negociata me Ukrainën pas vendimit për tanke nga aleatët perëndimorë

Autoritetet ruse po kërkojnë sërish bisedime me Ukrainën pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë vendosën për një dorëzim të madh të tankeve dhe automjeteve të blinduara për një ofensivë të mundshme ukrainase në pranverë, shkruan CNN.

Sipas ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov, Rusia është e gatshme për negociata dhe do të vazhdojë të përgënjeshtojë pretendimet e kundërta dhe gjithashtu “dëshiron” që konflikti me Ukrainën të përfundojë, megjithëse nuk është e rëndësishme për palën ruse që kjo të ndodhë shpejt.

“Deklarata se Moska e refuzon dialogun është një gënjeshtër”, ka thënë Lavrov në një intervistë për Rossiya-24 dhe RIA Novosti të enjten.

“Negociatat me Ukrainën, raundi i parë dhe i vetëm i së cilës përfundoi pa sukses pranverën e kaluar, janë të mundshme pa parakushte. Qëndrimi ynë është i qartë, i kuptueshëm dhe transparent. Ne jemi gati për negociata. Por nuk shohim se regjimi në Kiev është gati për negociata reale”, ka thënë presidentja e Këshillit të Federatës, Valentina Matvijenko.

Sipas Matviyenko, SHBA-ja është e interesuar për përshkallëzimin e konfliktit dhe për këtë arsye po shtojnë furnizimin me armë në Ukrainë, duke përfshirë ato ofensive.

“Kiev do të marrë të paktën 140 tanke në ‘valën e parë’ të dërgesave të automjeteve të blinduara, për të cilat u ra dakord nga vendet aleate në Ramstein javën e kaluar”, ka konfirmuar më herët ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba.