Rusia ka pretenduar se dorëzimi i tankeve luftarake të NATO-s në Ukrainë është dëshmi e përfshirjes direkte në rritje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës në luftë, raportoi të enjten Reuters.
Këto komente u bënë pasi SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan të mërkurën se do ta armatosin Ukrainën me dhjetëra tanke të rënda në luftën e saj kundër forcave ruse.
“Ka deklarata të vazhdueshme nga kryeqytetet evropiane dhe Uashingtoni se dërgimi i sistemeve të ndryshme të armëve në Ukrainë, përfshirë tanket, në asnjë mënyrë nuk nënkupton përfshirjen e këtyre vendeve apo aleancën në armiqësitë në Ukrainë”, tha të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ne nuk pajtohemi me këtë dhe, në Moskë, gjithçka që po bëjnë aleanca dhe kryeqytetet që përmenda, shihet si përfshirje e drejtpërdrejtë në konflikt. Ne shohim që kjo po rritet”, ka shtuar ai.
Kievi ka kërkuar qindra tanke moderne për të rimarrë territorin e pushtuar në jug dhe lindje të Ukrainës.
Rusia, e cila nisi luftën duke pushtuar Ukrainën më 24 shkurt të vitit të kaluar, e ka portretizuar gjithnjë e më shumë konfliktin si një konfrontim me NATO-n.
Sergej Karaganov, ish-këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, tha se dërgesat e armëve të NATO-s mund të rezultojnë në hakmarrje të mundshme ushtarake kundër kombeve që i furnizojnë ato.
“Duke dërguar tanke, vendet e NATO-s po përfshihen më hapur në luftë dhe kjo i bën ata objektiva të mundshëm”, ka thënë ai për Al Jazeera, duke e fajësuar NATO-n për fillimin e konfliktit në Ukrainë.