Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja këshillon Ukrainën të mos nisë ofensivë të madhe kundër forcave ruse

Zyrtarët e lartë amerikanë po këshillojnë Ukrainën që të ndalojë fillimin e një ofensive të madhe kundër forcave ruse derisa furnizimi më i fundit i armatimit të SHBA-së të jetë në vend dhe të sigurohet trajnimi për përdorimin e tyre, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës Biden, shkruan Reuters.

Zyrtari, duke folur para një grupi të vogël gazetarësh në kushte anonimiteti, ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin vendimin për të mos ofruar tanke Abrams në Ukrainë në këtë kohë, mes një polemike me Gjermaninë mbi tanket.

Presidenti Joe Biden, i cili miratoi një paketë të re armësh prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën këtë javë, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, “Ukraina do të marrë të gjithë ndihmën që u nevojitet”, kur u pyet nëse ai mbështet synimin e Polonisë për të dërguar tanke Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë.

“Bisedimet e SHBA-së me Ukrainën për çdo kundërofensivë kanë qenë në kontekstin e sigurimit që ukrainasit t'i kushtojnë kohë të mjaftueshme fillimisht stërvitjes mbi armatimin më të fundit të ofruar nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë zyrtari.

Zyrtarët amerikanë besojnë se një ofensivë do të ishte më e suksesshme nëse ukrainasit përfitojnë nga trajnimi dhe infuzioni i konsiderueshëm i armatimit të ri.

Edhe Çfarë ndihma ushtarake i ka dhënë SHBA-ja Ukrainës para pezullimit Botë Çfarë ndihma ushtarake i ka dhënë SHBA-ja Ukrainës para pezullimit

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë qindra automjete të blinduara në Ukrainë për t'u përdorur në luftë.

Besimi në Uashington është se Ukraina ka shpenzuar burime të konsiderueshme për të mbrojtur qytetin e Bakhmutit, por se ekziston një mundësi e madhe që rusët përfundimisht t'i shtyjnë ukrainasit nga ai qytet, shtoi zyrtari.

Nëse kjo ndodh, nuk do të rezultojë në ndonjë ndryshim strategjik në fushën e betejës.

Në një front tjetër, zyrtarët amerikanë po këshillojnë Ukrainën që të rregullojë mënyrën se si Kievi e drejton luftën, duke mos u përpjekur të përputhet me Rusinë raund për raund me zjarr artilerie, sepse në fund Moska do të fitojë avantazhin, sipas zyrtarit.

Kjo është arsyeja pse furnizimi më i fundit i armatimit amerikan përfshin automjete të blinduara, sepse do të ndihmojë Ukrainën të ndryshojë mënyrën se si lufton.

Moti i keq i dimrit ka penguar luftimet në vijat e para, megjithëse ngrirja e tokës mund t'i hapë rrugë secilës palë për të nisur një ofensivë me pajisje të rënda, ka thënë Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhanskut të Ukrainës.

Edhe Rusia kritikon SHBA-në për furnizimin e Ukrainës me uranium të varfëruar Botë Rusia kritikon SHBA-në për furnizimin e Ukrainës me uranium të varfëruar

Zyrtari ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë në këtë moment të dërgojnë tanke Abrams në Ukrainë, sepse ato janë të kushtueshme dhe të vështira për t'u mirëmbajtur.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të premten mohoi se Berlini po bllokonte në mënyrë të njëanshme dërgesën e tankeve Leopard në Ukrainë, por ka thënë se qeveria ishte gati të lëvizte shpejt për t'i dërguar ato nëse do të kishte konsensus midis aleatëve.