Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia i nis edhe 400 të burgosur në Ukrainë

Për t’i forcuar trupat e saj, Rusia i ka dërguar edhe 400 të burgosur nga qyteti i Tambovit në Ukrainë, raportoi BBC-ja të hënën. Të burgosurit po vuan dënimin për vepra penale, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Tutje, Shtabi njoftoi se në rajonin e Krasnodarit në Rusi, qindra persona morën detyrën për të mbledhur para nga popullsia vendase, për blerje të rrobave dhe ushqimeve për trupat ruse.

Rusia, nëpërmjet grupit “Wagner”, ka rekrutuar të burgosur për t’i dërguar në frontet ukrainase.

“Wagner” është grup privat rus që shfrytëzohet nga autoritetet shtetërore “sa herë i duhet”. Ai njihet për krime mizore në botë dhe përdhunime. Shumica prej anëtarëve të tij, janë të burgosur apo persona që kanë vuajtur disa vjet burgim.

Gjatë së dielës, Rusia i nisi mbi 90 sulme me raketa ndaj caqeve ukrainase shkaktuar dëmtimin e mbi 30 vendbanimeve dhe të infrastrukturës civile. Ukrainasit në anën tjetër regjistruan përparime të rëndësishme ndaj forcave ruse në Mykolaivka Druga, Vesela Dolyna dhe Bakhmut.

Të paktën 200 rusë u vranë nga një sulm me raketa në Luhansk.

Kreu i rajonit, Serhii Gaidai, deklaroi se sulmi i trupave ukrainase u krye mbi ndërtesën e ish-stacionit të autobusëve që po përdorej nga rusët si vendstrehim.