Botë

20 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Urkainë

Foto: Arkiv

Foto: Associated Press

Të paktën 20 persona janë vrarë teksa më shumë se 40 të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera gjatë natës nga ushtria e Rusisë në drejtim të Ukrainës, kanë bërë të ditur zyrtarët rajonalë.

Guvernatori i Zaporizhzhias, Ivan Fedorov, ka shkruar në rrjetin social Telegram, se nga sulmet ruse është shkatërruar ndërtesa e një burgu, ku mbetën të vrarë 16 persona dhe u plagosën 35 të tjerë, ka transmetuar Reuters.

Ai ka raportuar për dëme edhe në shtëpitë përreth.

Katër persona të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve në rajonin e Dnipropetrovskut, sipas zyrtarëve rajonalë.

Bilanci i viktimave e bën këtë një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj Ukrainës në muajt e fundit.

Forcat ruse e kanë sulmuar rregullisht rajonin e Zaporizhzhias, duke përdorur dronë, raketa dhe bomba që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Fedorov ka shtuar se forcat ruse kanë kryer tetë sulme në Zaporizhzhia, duke përdorur bomba me fuqi të madhe.

Rusia intensifikon sulmet ndaj Ukrainës derisa afati i Trumpit po afron

10 o. më parë / 29 kor 2025 11:09
Ukraine

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar të martën se të paktën 22 persona kanë humbur jetën, teksa 85 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse që shënjestruan 73 qytete dhe fshatra në Ukrainë, disa orë pas afatit të ri të shpallur prej presidentit amerikan, Donald Trump.

Zelensky i ka përshkruar bombardimet deri në detaje, përfshirë sulmin mbi një spital në qytetin e Kamianske, prej të cilit mbetën të vrarë tri persona, ndër ta një grua shtatzënë, dhe po ashtu “sulmin e qëllimshëm” ndaj ndërtesës së burgut në Zaporizhia, ka raportuar The Guardian.

“Çdo vrasje e njerëzve tanë nga rusët do të mund të shmangej, nëse do të ishim dakorduar rreth armëpushimit qëmoti, nëse Rusia s’do ta kundërshtonte. E gjitha kjo tregon se ndaj Moskës duhet të ushtrohet trysni me sanksione shumë të ashpra, vërtet të dhimbshme, dhe për rrjedhojë të drejta dhe efektive”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ai e ka falënderuar Trumpin për komentet e tij, dhe të gjithë liderët botërorë që i kanë bërë presion Rusisë në rrethanat e tanishme.

“Paqja është e mundur, por vetëm kur Rusia ta ndërpresë luftën dhe dhimbjet që po ia shkakton popullit tonë”, ka shtuar Zelensky.

Trumpi kishte thënë të hënën se është shumë i zhgënjyer me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai ka shtuar se mund ta shkurtojë afatin 50-ditor të cilin ia ka dhënë Rusisë për ta pranuar marrëveshjen e paqes në Ukrainë.

“Do t’i reduktojë 50 ditët që ia dhashë atij, sepse mendoj se e di se çfarë ka për të ndodhur”, ka thënë Trump.

I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë afati i ri, presidenti amerikan ka theksuar se është “10 ose 12 ditë, duke nisur nga e hëna”.