Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia e pakënaqur me SHBA-në që po e armatos Ukrainën

Rusia po e cilëson të papranueshëm dërgimin e armëve nga SHBA-ja në Ukrainë, raportoi BBC-ja të hënën.

Ambasadori i Rusisë në Washington, Anatoly Antonov, deklaroi se është kërkuar që SHBA-ja t’i japë fund kësaj praktike të dërgimit të armëve te forcat ukrainase.

"Ne theksuam papranueshmërinë e kësaj situate kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dorëzojnë armë në Ukrainë dhe ne kërkuam t'i jepet fund kësaj praktike", deklaroi Antonov për kanalin televiziv “Rossiya 24”.

Antonov theksoi se i është dërguar SHBA-së një notë zyrtare diplomatike ku janë shprehur shqetësimet ruse.

SHBA-ja u ka premtuar Ukrainës dhe shteteve partnere 713 milionë dollarë ndihmë, pas takimit të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën në Kiev.

Sipas BBC-së, rreth 322 milionë do të shfrytëzohen për blerje të armëve të nevojshme për forcat ukrainase, ndërsa fondet e mbetura do t’iu ndahen vendeve anëtare të NATO-s që i dolën në ndihmë Ukrainës.