Vendimi i SHBA-së për të dërguar më tepër ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun për një përplasje direkte ushtarake” mes Rusisë dhe Perëndimit, ka paralajmëruar Moska, raporton BBC.
Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, ka thënë se është “një kërcënim direkt” për Moskën, dhe e ka përshkruar SHBA-në si “pjesëmarrëse në konflikt”.
SHBA-ja të martën ka njoftuar për një ndihmë të re ushtarake për Ukrinën në vlerë 625 milionë dollarë.
Armët e avancuara amerikane vlerësohen se kanë ndihmuar Ukrainën që të përparojë shpejt për të çliruar territoret e pushtuara nga Rusia.
Forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në verilindje dhe jug të vendit në javët e fundit.
Në përkrahjen e fundit të premtuar nga SHBA-ja përfshihen katër sisteme raketore Himars.
Edhe
SHBA-ja ndalon disa dërgesa armësh për Ukrainën
Në përgjithësi, Washingtoni ka ofruar 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.
Në deklaratën e tij, Antonov ka thënë se “vendimi i SHBA-së për të mbushur regjimin e Kievit me armë të rënda vetëm siguron statusin e Washingtonit si pjesëmarrës në konflikt. Ne i bëjmë thirrje Washingtonit t’i ndalojë veprimet provokuese që mund të çojnë te pasojat më serioze”.