Moska zyrtare ka njoftuar të enjten se është e hapur për dialog të mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse thotë se kjo e fundit nuk ishte e gatshme të adresonte shqetësimet e saj kryesore për sigurinë sa i përket çështjes së Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO paraqitën një përgjigje me shkrim të mërkurën ndaj kërkesave që Rusia ka bërë për një rishikim të marrëveshjeve të sigurisë në Evropë që kur grumbulloi trupa pranë Ukrainës, duke provokuar frikën perëndimore për një pushtim.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moskës i duhet kohë për të rishikuar përgjigjen dhe nuk do të nxitojë në përfundime, por se deklaratat e SHBA-së dhe NATO-s që i përshkruan kërkesat kryesore të Rusisë si të papranueshme, nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm.
“Bazuar në atë që kolegët tanë (SHBA-ja dhe NATO-ja) thanë dje, është absolutisht e qartë se në kategoritë kryesore të përshkruara në ato draft dokumente, nuk mund të themi se mendimet tona janë marrë parasysh ose se është treguar gatishmëri për të marrë parasysh shqetësimet tona. Por ne nuk do të nxitojmë me vlerësimet tona”, tha ai, raporton Reuters.
Ky reagim i Kremlinit e bëri të qartë se Rusia nuk po i refuzonte përgjigjet e SHBA-së dhe NATO-s ose nuk po mbyllte derën për diplomacinë.
Ministria e Jashtme ruse tha se mënyra më e mirë për të ulur tensionet ishte që NATO-ja të tërhiqte forcat nga Evropa Lindore, por gjithashtu kërkoi të shuante frikën e një pushtimi.
"Ne kemi thënë tashmë në mënyrë të përsëritur se vendi ynë nuk ka ndërmend të sulmojë askënd. Ne e konsiderojmë edhe mendimin e një lufte midis popullit tonë të papranueshëm," tha Alexei Zaitsev, zëdhënës i Ministrisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy do të zhvillojë një bisedë telefonike këtë të enjte të me presidentin amerikan, Joe Biden, për çështjet e sigurisë, energjisë dhe mbështetjes makro-financiare, tha zëdhënësi i Zelenskiyt.
Kërkesat e sigurisë së Rusisë, të paraqitura në dhjetor, përfshijnë një fund të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, duke e ndaluar Ukrainën të anëtarësohet në këtë organizatë.
Përgjigjet e SHBA-së dhe NATO-s nuk u bënë publike, por të dyja i kishin hedhur poshtë këto kërkesa, ndërsa shprehën gatishmërinë për t'u angazhuar në çështje të tilla si kontrolli i armëve, masat e ndërtimit të besimit dhe kufizimet në madhësinë dhe shtrirjen e stërvitjeve ushtarake.