Rreth 10 mijë njerëz në ditë pritet të zhvendosen gjatë gjashtë ditëve të ardhshme nga Khersoni i Ukrainës, i pushtuar nga forcat ruse, shkroi të mërkurën Reuters.
Autoritetet e instaluara nga Rusia në këtë rajon kanë thënë se planifikojnë të evakuojnë rreth 60 mijë njerëz brenda gjashtë ditësh mes presionit të përshkallëzuar nga një kundërofensivë ukrainase.
Guvernatori i vendosur nga Rusia, Vladimir Saldo, ka thënë se autoritetet po lëvizin civilët në bregun lindor të lumit Dnipro në mënyrë që t’i mbajnë të sigurt dhe të lejojnë ushtrinë “të veprojë me vendosmëri”.
"Unë kalova me veturë nëpër qendrën rajonale këtë mëngjes. Në pjesën e jashtme nuk kishte asgjë që të bënte të kuptoje se kishte shumë presion. Por kur mbërrita në portin e lumit, pashë se varkat po prisnin dhe tashmë ishin të ngarkuara me njerëz të gatshëm për të shkuar në bregun e lindor të Dnipros”, tha Saldo, duke shtuar se situata po tensionohet.
Derisa foli për evakuimin e mijëra banorëve, Saldo tha se disa rajone në Rusi janë duke u përgatitur të pranojnë njerëz.
Edhe
Rusia fillon evakuimin nga jugu i Khersonit
Banorët e Khersonit kanë marrë mesazhe me tekst që paralajmërojnë nevojën urgjente për t'u evakuuar. Më shumë se pesë mijë prej tyre janë larguar në dy ditët e fundit.
Rusia mori kontrollin e pjesës më të madhe të rajonit jugor Kherson, menjëherë pasi e pushtoi në shkurt, dhe e shpalli atë të aneksuar në shtator, një veprim që Kievi dhe Perëndimi e denoncuan si të paligjshëm.