Largimi i trupave ruse nga Khersoni po cilësohet fitore e madhe për Ukrainën, shkroi mediumi britanik Financial Times të enjten. Por, Kievi ende është skeptik në lidhje me deklaratat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pasi ende u tha se “nuk janë parë shenja të tërheqjes”.
Gjenerali amerikan, Mark Milley, deklaroi se Rusia aktualisht i ka 30 mijë trupa në veri të Dnieperit dhe sipas tij, do të duhen disa ditë për t'u tërhequr.
“Do të duhen ditë dhe ndoshta edhe javë për t'i çuar këto forca në jug të lumit Dnieper”, tha ai.
Sipas analistëve të mediumit, kontrolli i Khersonit nga Ukraina do të zgjeronte shtrirjen e ukrainasve dhe të dobësonte aftësinë e Rusisë për ta mbajtur territorin që aktualisht e kontrollon.
Khersoni gjendet 100 kilometra pranë Isthmusit, që i krijon Rusisë një korridor të ngushtë për t'i forcuat trupat e saj.
“Kjo do të jetë goditje shumë e rëndë për trupat ruse”, shtoi Serhii Kuzan, këshilltar i ministrit ukrainas të Mbrojtjes.
“Afërsia e Forcave të Armatosura të Ukrainës me Krimenë do të mund ta detyrojë Rusinë që t'i zhvendosë më tepër forcat në jug, për të mbrojtur territorin e Krimesë, nga i cili presidenti Vladimir Putin, nuk do të donte kurrë të tërhiqej”, thuhet në raportimin e FT.